Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim përfaqësuesin e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci, me të cilin ka biseduar për gjendjen në arsim, me theks të veçantë në arsimin universitar.
Ministri Bytyqi tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me çdo organizatë e cila ka synime pozitive për ta ndryshuar gjendjen në arsim.
“Që në momentin kur ne e kemi marrë detyrën, iu kemi bërë thirrje të gjithë profesionistëve, gjithë organizatave qeveritare dhe joqeveritare, të cilat kanë ide dhe dëshirojnë që arsimin ta shohin ndryshe, të jenë bashkëpunëtorët tanë”, tha Ministri.
Ministri Bytyqi theksoi se në këtë drejtim, sot është përgjigjur organizata ORCA, të cilët e falënderoi dhe shprehu gatishmërinë që bashkë të punojnë për të kaluar vështirësitë dhe sfidat në arsim.
Ndërsa, përfaqësuesi i ORCA-s, Rron Gjinovci theksoi se fakti që ministri Bytyqi e pranon realitetin se gjendja në arsim nuk është e kënaqshme, tregon se mundësia që të punohet seriozisht nga institucioni është e madhe, e po ashtu edhe mundësia për bashkëpunim mes MAShT dhe ORCA.
ORCA është organizatë aktive në mbikëqyrjen e proceseve akademikenë arsimin e lartë në Kosovë dhe në reagime të koordinuara për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në arsimin e lartë publik.