Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thirrur një konferencë për medie, duke reaguar ndaj letrës publike të kolegjit ISPE, e cila i është drejtuar kryeministrit dhe institucioneve të tjera dhe është bërë publike në media, me arsyetimin se iu është bërë e padrejtë nga ministri Bytyqi lidhur me mosakreditimin e këtij institucioni.
Bytyqi ka përkrahur vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke thënë se ato janë të bazuara në ligj, raporton Ekonomia Online.
Bytyqi vlerësoi se kjo letër është e tipit të shantazhit, në mënyrë që të bëhet presion direkt në institucionet shtetërore. “Nuk është i sotëm presioni që ky kolegj bën ndaj institucionit tonë. Ka pasur në vazhdimësi presione që në mënyrë të padrejtë të akreditohen programet, gjegjësisht të ndikohet në Këshillin Shtetëror të Cilësisë për akreditimin e programeve të këtij institucioni”, tha ministri Bytyqi, ndërsa shprehu vendosmërinë që të respektohen institucionet e pavarura, sepse tha se është bërë një punë e jashtëzakonshme që të krijohet një Agjencion i Akreditimit dhe një Këshill Shtetëror i Cilësisë i pavarur dhe i pandikuar nga askush.
Kreu i MAShT-së vlerësoi se është kërkuar vazhdimisht nga Këshilli i Cilësisë që të respektohet ligji dhe procedurat dhe të jetë profesional në vendimmarrje, gjë që edhe ka ndodhur me vendimet e marra deri më tani.
“Vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë vendime të pavarura nga Ministri. Nuk mundet Ministri të ndikojë në vendimmarrjen e këtij Këshilli”, theksoi Ministri, ndërsa tha se në letrën e ISPE-së bëhet fjalë për vendimet e Këshillit dhe i adresohen ministrit.
“Ne i bëjmë thirrje çdo institucioni që pretendon se ka pasur lëshime nga Këshilli Shetëror i Cilësisë, të orientohen te organet kompetente, por se në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë askënd që të bëjë presione dhe shantazhe dhe si pasojë të kemi institucione joligjore që nuk i respektojnë ligjet dhe kriteret”, tha ministri Bytyqi.
Ministri i bëri thirrje kolegjit ISPE që të angazhohet në drejtimin e plotësimin e kushteve që parashihen me ligj dhe mos të bëj presion as ndaj Ministrisë, e as ndaj Këshillit.
“Besoj se Këshilli nuk do të bie pre e këtyre manovrimeve për qëllime dhe përfitime personale”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se Këshilli Shtetëror i Cilësisë do ta ketë përkrahjen e tij të parezervë nëse punën do ta bëj në mënyrë profesionale dhe bazuar në kërkesat dhe procedurat ligjore.