Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka mirëpritur ratifikimin në Kuvend të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
“Është një lajm i mirë që më në fund Këshilli Shtetëror i Cilësisë është ratifkuar sot nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas një pune jashtëzakonisht të madhe, të mirë që është bërë që nga momenti i rekomandimeve të Kuvendit deri më sot ku u pa një disponim i përgjithshëm”.
“Dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë deputetët, për vullnetin e tyre për ta futur në rend dite këtë pikë të jashtëzakonshme, si pikë e parë dhe po ashtu gjetjen e zgjidhjes sot për ta votuar përkundër shumë angazhimeve që ka Kuvendi i Kosovës”.
Ai ka shkruar se janë në fazën kur Agjencia e Akreditimit do të bëhet funksionale, transmeton Ekonomia Online.
“Jemi në hap shumë të mirë dhe jemi në fazën kur Agjencia e Akreditimit do të bëhet funksionale. Unë sot menjëherë kam ftuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ku do të bisedojmë me anëtarët vendor dhe do të shohim mundësinë e parë që sa më shpejtë të thirrin takimin konsolidues, pra të zgjedhin organet udhëheqëse dhe Agjencia e Akreditimit të bëhet funksionale”.