Bytyqi: Lufta për lirinë e medias akoma nuk është fituar

Prishtinë | 03 Maj 2018 | 15:34 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka inkurajuar gazetarët që të merren me gazetari në mënyrë profesionale për informimin e qytetarëve.

Bytyqi përmes një postimi në Facebook ka shprehur edhe shqetësimin e tij lidhur me problemet me të cilat përballen gazetarët dhe mediet në përgjithësi në Kosovë.

“Sivjet, kur Reporterët pa Kufij alarmojnë se në botë ka rritje dhe shifrat kanë arritur numër rekord të gazetarëve dhe punëtorëve të medieve të vrarë (29), si dhe të burgosurve (317), jemi të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat përballen gazetarët në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e tij në Facebook.

“Pavarësisht sfidave me të cilat përballen gazetarët, i inkurajojmë që me përkushtim, angazhim maksimal, profesionalizëm dhe me etikë të lartë të punojnë në përmbushjen e misionit të tyre për informim të saktë dhe të paanshëm të audiencës së tyre. Për më tepër, gazetarët janë ata që punën e politikanëve e përcjellin deri te qytetarët, duke i bërë që të japin llogari para tyre dhe kështu duke e ngritur nivelin e transparencës”.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Bytyqit në Facebook:

Sot është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, njërës nga liritë fundamentale të njeriut dhe një ndër faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit të demokracisë së një vendi. Sivjet, kur Reporterët pa Kufij alarmojnë se në botë ka rritje dhe shifrat kanë arritur numër rekord të gazetarëve dhe punëtorëve të mediave të vrarë (29), si dhe të burgosurve (317), jemi të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat përballen gazetarët në vendin tonë.

Pavarësisht sfidave me të cilat përballen gazetarët, i inkurajojmë që me përkushtim, angazhim maksimal, profesionalizëm dhe me etikë të lartë të punojnë në përmbushjen e misionit të tyre për informim të saktë dhe të paanshëm të audiencës së tyre. Për më tepër, gazetarët janë ata që punën e politikanëve e përcjellin deri te qytetarët, duke i bërë që të japin llogari para tyre dhe kështu duke e ngritur nivelin e transparencës.

Vendi ynë ndoshta nuk mund të mburret me lirinë e shtypit (medias), por lirisht mund të mburret me pluralizmin e skenës mediale. Prandaj, sot thuaja se është e pamundshme që të ndalet depërtimi i informacionit deri te qytetari, edhe pse ky pluralizëm medial, sidomos përmes rrjeteve sociale iu është dhënë mundësi edhe keqpërdoruesve të informacionit që përmes lajmeve të rrejshme të ndotin komunikimin publik, që e bën të vështirë marrjen e informacionit të saktë.

Mediat në vendin tonë, sado që punojnë në kushte dhe në një ambient të ndjeshëm, meritojnë të përgëzohen dhe të inkurajohen për punën e tyre të pandalshme, ngase lufta për lirinë e shtypit (medias) dhe lirinë e shprehjes akoma nuk është fituar dhe duhet angazhim i përbashkët i të gjithë atyre që marrin pjesë në hapësirën publike të komunikimit.

Të ngjashme