Në konferencën kombëtare vjetore të shkencës “Java e Shkencës 2018”, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se kontributi shkencor po shënon rritje të vazhdueshme, raporton Ekonomia Online.
“Java e shkencës paraqet një profilizim dhe mundëson potencialet ekzistuese dhe rigjeneron idetë e reja. Ne besojmë se kontributi shkencor po shënon një rritje të vazhdueshme vit pas viti dhe kjo po na bën krenarë”.
“Ne kemi organizuar të gjithë këshillat shkencorë në fushën e këshillave shkencorë. Në të ardhmen do vazhdohet në standarde ndërkombëtare, sistemi MAShT do krijojë rrethana mbështetëse për shkencë, ngritjen e nivelit të financimit dhe ndërkombëtarizmit të saj”.
Ministri Shyqiri Bytyqi tregoi se MAShT ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me vendet e Evropës Juglindore, Institutin për hulumtime shkencore në Podgoricë, raporton EO.
“Nëse duam të jemi vend i zhvilluar, duhet të jemi vend që të zhvillojmë shkencën, këtë e kemi kuptuar nga fillimi dhe bëjmë çmos të hartojmë qasje strategjike”, tha Bytyqi.