Ministri në detyrë i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka marrë pjesë në përurimin e objektit të ri të shkollës fillore “Ismet Rraci” në Klinë, raporton Ekonomia Online.
Bytyqi duke folur për investimet, tha se Qeveria çdo ditë po punon në modernizimin e shkollave në gjithë Kosovën.
“Vërtetë kënaqësi që jam në mesin e juaj që po ashtu mban emrin e patriotit të madh Ismet Rraci. U tha për një histori të kësaj shkollë, po e vërtetë që duhet të flasim për të ardhmen, por duke mos e harruar as te kaluarën”.
“Falënderim shkon për brezat që punuan pa ndërprerë që ky tempull i dijës të vazhdojë edhe më tutje. Ju familje e zotri Rracit, të jeni krenar për birin e juaj”.
“Jo që ju ka bërë krenar vetëm juve, por edhe Klinën, ky emër i madh po i bënë krenar gjithë këta nxënës. Ne si Qeveri çdo ditë po angazhohemi në modernizimin e infrastrukturës shkollore që ta bëjmë model edhe jashtë Kosovës”.
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj foli për investimet që do të bëhen në këtë komunë.
“Këto ngjarje na bëjnë krenar për sakrificat që ka pasur kjo vatër e dijës e cila mbijetojë më shekuj. Na bënë krenar edhe emri që mban kjo shkollë që e kemi për veprimtarin Ismet Rraci”.
“Komuna jonë në përkrahje të Qeverisë ka vazhduar me investime. Shumë shpejt do të fillojmë me ndërtimin e fushave dhe me ndërtimin e disa çerdheve, duke dëshmuar që interesimi ynë është investimi edhe në të ardhmen”, ka thënë Elezaj.
Në emër të familjes foli djali i të ndjerit Alban Rraci. Me lot shumë e fjalë pak, Albani tha se kjo shkollë do ta mbajë me krenari emrin e babait të tij, raporton EO.
Drejtori i Shkollës Ahmet Krasniqi foli për historikun e shkollës, ku tha se sot Klina ka festë pasi që festojnë dhe kremtojmë 73-vjetorin e kësaj shkollë.
Kjo shkollë mban emrin e ish kryetarit të Komunës së Klinës Ismet Rraci, i vrarë me 24 prill 2001, derisa po kthehej nga puna.