Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi ka pritur në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland me bashkëpunëtorë, ku është biseduar për thellimin e bashkëpunimit në sektorin e arsimit.
Sipas Bytyqit gjatë këtij takimi, u bisedua edhe për vazhdimin e implementimit të Memorandumit të Bashkëpunimit për mobilitetet e nxënësve dhe mësimdhënësve mes Kosovës dhe Gjermanisë.
“Falënderova shtetin gjerman për përkrahjen e vazhdueshme në përmirësimin dhe zhvillimin e sistemit të arsimit në Kosovë, dhe theksova kontributin e çmuar të GIZ-it gjerman”, thuhet në njoftim.
Ministri i Arsimit me zëvendëspresidentin Wieland, kanë diskutuar edhe për programin “Erasmus +” dhe mundësinë e qasjes sa më të madhe në këtë program. Sipas tij në fillim të muajit qershor të këtij viti do të nënshkruhet marrëveshje rreth programeve të “Erasmus +”.
“Bashkëbiseduam edhe për zhvillimet në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, ku theksova se vitin 2018 e kemi shpallë si vit nacional për arsimin dhe aftësimin profesional. Tashmë jemi në fazën fillestare të hartimit të një Strategjie për arsimin profesional, dhe për këtë jemi duke diskutuar dhe duke parë përvojat dhe modelet më të mira ndërkombëtare”, thuhet më tutje në njoftim.