Bytyqi: Nuk do të shtohet numri i mësimdhënësve për mësim tërëditor

Prishtinë | 13 Nën 2017 | 08:17 | Nga

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk planifikon që krahas aplikimit të mësimit tërëditor të rrisë edhe numrin e mësimdhënësve, ashtu siç është duke kërkuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Për MASHT-in, numri i mësimdhënësve të punësuar aktualisht është i mjaftueshëm dhe në shkollat që i plotësojnë kushtet nga viti i ardhshëm aplikimi i mësimit tërëditor mund të realizohet pa problem, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por SBASHK-u është zotuar se do t’u kërkojë të gjithë mësimdhënësve që të mos mbajnë mësimin tërëditor siç ka planifikuar MASHT-i.

Për Sindikatën, numri prej mbi 23 mijë mësimdhënësve të punësuar në arsimin parauniversitar është i pamjaftueshëm dhe për këtë kërkon të punësohen edhe mbi 6 mijë mësimdhënës të tjerë.

Ditë më parë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka prezantuar projektin për ndërtimin e 142 objekteve të reja shkollore, 85 anekseve dhe 218 sallave të sportit në gjithë Kosovën për të filluar mësimi tërëditor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme