Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi ka vizituar qendrën e testimit në shkollën “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj për të parë nga afër zhvillimin e testit të maturës, raporton Ekonomia Online.
Bytyqi tha se rezultatet e këtij testimi do të shpallen më 1 qershor, duke shtuar se pret që ato të jenë më të mira se vitet e kaluara.
Ai foli edhe për shpërndarjen e testeve në rrjetet sociale tha se janë marrë të gjitha masat me institucionet përgjegjëse dhe se kjo nuk do të ketë ndikim në rezultate.
“Ne menjëherë i kemi njoftuar organet kompetente dhe janë duke u shqyrtuar rastet konkrete. Por ajo çka është parë nuk ka ndikuar në rezultate”.
“Ne presim rezultatet më të mira sepse konsiderojmë që këtë vit ka qenë një angazhim i përgjithshëm. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me nivelin lokal dhe kjo ka ndikuar që përgatitje në përgjithësi për këtë vit të jenë më të mira dhe presim rezultate më të mira”.
“Secili nxënës që nxihet me telefon duke përdorë telefonin do largohet, është kërkesë shtesë që nxënësit që kanë përdor telefon të përjashtohen. Janë gjëra që duhet parë, jemi mundu me i zvogëlua këto defekte është bërë një hap pozitiv do shohim se cili është ndikimi i tyre”.
“7700 nxënës po marrin pjesë në test për regjionet Ferizaj, Gjilan Kaçanik. Ndërsa në gjithë Kosovën 27 mijë e 700 nxënës të kësaj gjenerate. Rezultatet priten të dalin deri më 1 qershor, publikimet e testeve në internet nuk kanë ndikuar në rezultat. Këtë vit presim rezultate më të mira sepse ka qenë një bashkëpunim më i madh mes MAShT dhe DKA-ve”.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se si komunë janë të angazhuar të krijojnë kushte dhe të angazhohen për të përmirësuar cilësinë e arsimit.
Aliu pohoi se në komunën e Ferizajt testit të maturës shtetërore iu kanë nënshtruar 2375 nxënës.
“Falënderoj ministrin që ka zgjedh Ferizajn, që të shoh për së afërmi si është duke shkuar procesi i testit të maturës, pamë që po zhvillohet qetë, me një komoditet pune për nxënësit”.
“Në këtë komunë po marrin pjesë 2375 nxënës dhe uroj të kenë suksesin e duhur, ne si komunë jemi të angazhuar të krijojmë kushte dhe mundësi që të bëjmë atë që duhet të bëhet të përmirësohet cilësia në arsim. Jam i bindur që hapat që kemi marr si komunë e Ferizajt janë hapa në një drejtim të një reforme që shpie në ngritjen e cilësisë së arsimit”, ka thënë Aliu.
Sot, ka filluar testi i Maturës Shtetërore 2018. Dy rajonet e para që janë përzgjedhur me short publik ku do mbahet testi janë Gjilani dhe Ferizaj.
Në rrjete sociale, ka filluar të shpërndahet testi i grupit A dhe B. Disa maturantë kanë dërguar fotografi në një grup të përbashkët ku po kërkojnë ndihmë me pyetje të parashtruara.