Me rastin e ditës se shkollës “Mehdi e Sylejman Bytyqi”, në Arllat të Drenasit, është përuruar fusha sportive, një investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në funksion të përmirësimit të kushteve për nxënësit e kësaj shkolle, raporton Ekonomia Online.
Përurimi u bë me rastin e 20-vjetorit të rënies së dëshmorëve Mehdi dhe Sylejman Bytyqi, emrin e të cilëve e mban kjo shkollë.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, tha se ndihet i lumtur dhe i emocionuar që gjendet në vendlindjen e tij. Ai aty premtoi që shumë shpejt shkolla do të pajiset me banka dhe karrige të reja derisa qytetarëve të këtij fshati u premtoi se do të ngritën dy bustet e dëshmorëve Mehdi dhe Sylejman Bytyqi.
“Sot e mbajë me krenari një komplet të librave të Migjenit të cilat mi dhuroi dëshmori Mehdiu. Dëshmori Sylejman Bytyqi, kisha fatin që e kisha shok të klasës dhe jam krenar për atë. Ne si MAShT jemi duke vizituar shumë shkolla dhe po interesohemi për kushtet dhe sot e kemi kënaqësinë që në këtë shkollë të përurojmë një fushë sportive që është e standardeve më të mira. Ne do të vazhdojmë ta përkrahim shkollën sepse e kemi obligim që të krijojmë kushte sa më të mira . Ne do të marrim obligim shtesë që shkolla të pajiset me banka të reja dhe karrige. Ne shumë shpejt dy të ngrisim edhe dy bustet për dy dëshmorët brenda shkollës së Bytyqve”, ka thënë Bytyqi.
“ …Gjendem në një vend ku sot kam shumë emocione dhe do të dalë përtej protokollit dhe të flas sepse gjendem në vendlindjen time. Është vërtet kënaqësi që gjendem këtu dhe ta festojmë së bashku ditën e shkollës, një festë për fshatin tonë”.
“Kjo ditë e ka përtej rëndësinë e një dite të zakonshme sepse shkolla e mban emrin e dëshmorëve tanë që ranë për lirinë e vendit tonë, për lirinë që ne sot e gëzojmë dhe kemi mundësi të festojmë”.
“Këta ranë që të kemi një bazament të fort të shtetit tonë, ranë me një amanet që ne të gjallët të kujdesemi për zhvillimin e vendit tonë. Këta ishin pjesë e kësaj shkolle që sot fëmijët tanë e kanë mundësinë të shkollohen”, tha ai.
Nënkryetari i komunës së Drenasit, Gani Sylaj, tha se rënia heroike e këtyre dëshmorëve solli lirinë e Kosovës dhe amaneti i tyre duhet të dërgohet në vend.
“ Urime dita e shkollës, e cila mban emrin e dy dëshmorëve të cilët në kohën e duhur me gjoksin e tyre e mbrojtën vendin që të mos bie nën pushtimin serb”.
“Sot, këta dy dëshmorë kanë mund të jenë në mesin tonë, sepse kanë qenë më të ri. Rënia e tyre heroike ka bërë që ne të jemi sot të lirë. Ne sot duhet që me mësim të tregojmë që amanetin e tyre po e dërgojmë deri në vend”, tha ai, raporton EO.
Drejtori i shkollës “Mehdi e Sylejman Bytyqi”, Bejzë Bytyqi, ka falënderuar MAShT-in për mbështetjen që i ka dhënë kësaj shkolle.
“Shkolla është përballë me sfida dhe vështirësi, kryesisht në fushën e infrastrukturës, por në dy vitet e fundit janë bë investime të mëdha në rregullimin e ambienteve dhe për këtë falënderojmë kryetarin e komunës, Ramiz LLadrovcin”.
“Në vitin aktual kemi realizuar një projekt shumë të rëndësishëm nga MAShT-i për të cilin falënderojmë ministrin Shyqiri Bytyqi”, tha ai.
Në fund të kësaj ceremonie u shpërndanë edhe mirënjohje për ministrin Bytyqi dhe përfaqësues të tjerë komunal.
Më pas, ministri Bytyqi ka vendosur lule te busti i dy dëshmorëve, Mehdi dhe Sylejman Bytyqi, si dhe te varrezat e tyre në Kleçkë.