Bytyqi: Plan-programi i Serbisë s’do të aplikohet, për nostrifikim të diplomës nuk do të pritet 6 vjet

Prishtinë | 29 Dhj 2017 | 08:28 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mësimi në shkollat dhe universitetin në veri të vendit, por edhe në të gjitha vendbanimet serbe vazhdon të mbahet me plan-program të Serbisë. Aplikimi i këtij plan programi dhe nostrifikimi i diplomave po vazhdon të jetë problem për ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).

Kreu i këtij dikasteri, Shyqiri Bytyqi, po paralajmëron se më në këto lokalitete do të mësohet vetëm me planin që kanë hartuar institucionet e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai paralajmëroi krijimin e një komisioni prej së cilit do të marrin rekomandimet se si duhet të veprohet që të gjitha shkollat duke përfshirë edhe ato të veriut të Mitrovicës të funksionojnë me plan program të Kosovës.

“Jo vetëm universiteti, konsideroj që ka edhe shumë shkolla në pjesën veriore dhe në disa vende të tjera që vazhdon të aplikohet plan programi i Serbisë, dhe kjo është një çështje më shumë sesa e ministrisë është çështje politike, por që barrën e mban ministria e Arsimit”, tha Bytyqi.

“Ne jemi duke punuar edhe në ligjin për Arsimin e Lartë, pra është komisioni që ka punuar dhe aty do të shohim që ta gjejmë një zgjidhje, një zgjidhje të pranueshme dhe me bazë kushtetuese dhe ligjore që të gjitha universitetet të jenë në kuadër të sistemit të arsimit të Kosovës, është sfidë, por ne duhet të punojmë para sfidave dhe këto sfida i kemi obligim që t’i gjejmë zgjidhje”, tha ai.

Çështje tjetër shqetësuese me Serbinë është edhe mos njohja e diplomave nga ana e këtij shteti, duke mos respektuar marrëveshjen e Brukseli. Kreu i MAShT-it u shpreh se Serbia nuk po kryen obligimet e saj karshi marrëveshjes që ka me Kosovën, duke e konsideruar këtë cështje politike.

“Kur do të njihen diplomat Kosovë-Serbi, do të ishte një përgjigje e thjeshtë themi sot, për arsye se ekziston një marrëveshje për tu arritur mes dy shteteve, një marrëveshje politike, por që faktikisht Serbia vazhdon akoma për të mos i kryer obligimet që ka karshi marrëveshjes që ka dal në Bruksel”.

Por qytetarët duhet të presin për më shumë se 6 vite për nostrifikim të diplomës edhe në vend, kjo për ministrin është e papranueshme.

“Ta themi për nga natyra se si qëndrojmë më Serbinë, nuk kemi me asnjë shtet tjetër apo universitet tjetër problem të nostrifikimit të diplomave kemi edhe brenda ministrisë tonë, por ka vonesa të tejskajshme të nostrifikimit të diplomave, vërtetë ka qenë një brengë e imja, në momentin kur unë kam ardhur në ministri edhe i kam marrë informacionet që ka me vite të tëra që nuk mund marrin përgjigjet qytetarët e ndryshëm për një nostrifikim të diplomës ka qenë diçka e ka papranueshme, pa i ditë arsyet, informacionet e sakta”, u shpreh ai.

Sipas tij, në vitin 2018 do të hartohet një akt ligjor i cili përcakton afatin kohor për nostrifikimin e diplomës.

“Në vitin 2018 ose fillimin e vitit 2018 departamenti do të merr shumë përgjegjësi dhe nuk do të lejojmë ne që dikush të pret për 6 vite ndoshta për një nostrifikim të diplomës, por nëse do të jetë nevoja jemi duke rishikuar edhe këtë mundësi që të mund të kemi edhe një akt nënligjor që përcaktohen afate kohore se deri kur një qytetar duhet të pret të marrë nostrifikim të diplomës pa dashur fare të cenohet pavarësia e një profesionisti, mirëpo nëse një diplomë nuk duhet të nostrifkohet duhet të marrë përgjigjen në kohë nëse nuk nostrifikohet ose nëse diploma duhet të nostrifikohet duhet përgjigjja të jetë në kohë që duhet të nostrifikohet. Kjo është ajo që neve na pret që këtë çështje ta rregullojmë një herë e përgjithmonë”, tha ministri.

 

 

Të ngjashme