Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka qëndruar sot në Deçan, ku fillimisht është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosajn, dhe pastaj së bashku kanë vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Isa Boletini” në Isniq dhe shkollën e mesme teknike “Tafil Kasumaj” në Deçan.
Në fund të vizitës, ministri Bytyqi vizitoi edhe shkollën e mesme të lartë “Lidhja e Prizrenit”.
Gjatë kësaj vizite, ministri Bytyqi premtoi mbështetje për përmirësimin e infrastrukturës në sistemin arsimor në Deçan, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se prioritet për ministrinë mbetet angazhimi i nxënësve në shkollat profesionale, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm për tregun e punës menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme.
“Ne shprehëm gatishmërinë që të bashkëpunojmë me kryetarin në fushën e sistemit arsimor këtu në komunën e Deçanit edhe në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore, por gjithsesi shprehëm gatishmërinë që të jemi sa më afër në mënyrë që të jetë suksesi ai që të gjithë ne po pretendojmë për një standard dhe cilësi shumë më të lartë se që kemi aktualisht”.
Në shkollën e mesme teknike “Tafil Kasumaj”, ministri Bytyqi u informua për gjendjen e inventarit të shkollës.
“Tani këtu edhe në shkollën e mesme të lartë teknike ku u informuam mbi gjendjen e kabineteve, pajisjeve që janë në këtë shkollë, drejtori na njoftoi se këtu janë në fazën e validimit të profileve që për neve ka shumë rëndësi validimi i këtyre profesioneve”.
“Konsideroj që këtu u pa një angazhim i menaxhmentit edhe i mësimdhënësve, mirëpo ishte kënaqësi që t’i shohësh ata nxënës se si po përgatiten me kompetenca të mjaftueshme në mënyrë që në moshën 18-vjeçare të jenë të gatshëm për tregun e punës. Pra, një prioritet i joni që po flasim për shkollat profesionale konsideroj që ke një praktikë e mirë në shkollën e lartë teknike”.
Ndërsa kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, shpalosi punën e bërë në këtë komunë si dhe planet për vitin e ardhshëm, raporton EO.
“Ju bëj me dije që ne me ministrin kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë. Këtë vit në Deçan janë fillu dy shkolla të reja, po ashtu katër shkolla të reja iu kanë nënshtru programit të efiçiencës. Po mendojmë që edhe vitin tjetër buxhetor t’i përcaktojmë prioritetet në infrastrukturë që shkollat në komunën e Deçanit të kenë një standard”.