Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, gjatë vizitës në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë është njoftuar me një varg telashesh me të cilat ballafaqohet kjo shkollë.
Ai ka shprehur zotimin e tij për mbështetje të vazhdueshme në zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e kushteve më të mira për të siguruar arsim më cilësorë, raporton EkonomiaOnline.
“Duhet të jemi të angazhuar të gjithë se bashku për të krijuar një sistem më te mirë të arsimit. Nëse ne e shohim si të përbashkëta problemet që i kanë shkollat atëherë mund të kalohen me lehtë. Pavarësisht problemeve mësimin duhet ta marrim si profesion të shenjtë. Ky vit duhet ta shtojë një rol të madh të prindërve nëpër shkolla. Ne shprehim gatishmërinë që të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje. Ne jemi të gatshëm si ministri të ulemi bashkë me ju edhe bashkë me Ministrinë e Financave që të diskutojmë dhe t’i argumentojmë nevojat,” është shprehur ministri Bytyqi.
Ai ka paralajmëruar edhe ndërtimin e shkollave të reja dhe përkujdesje të shtuar për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Për ndërtimin e shkollave, Fushë Kosova ka më së shumti nevojë dhe kjo duhet të bisedohet me komunën. Për fëmijët me nevoja të veçanta kjo është kategori që na obligon shumë. Ajo çka është arritur këtë vit dhe do të vihet në funksion nga viti i ardhshëm është krijimi i një fondi për sigurimin e fondeve për të ju siguruar kujdestar për fëmijë me nevojë te veçanta. Gjithashtu kemi menduar edhe bashkëpunimin me studentë të edukimit përkujdesje të fëmijëve me nevoja të veçanta.”
Deputeti, Veton Berisha, tha se do të lobojë që buxheti për këtë shkollë të kalojë, raporton EO.
“Unë e marr përgjegjësinë e plotë që do të jem lobues i madh që ky buxhet do të kaloj. Duhet të mos mbesin vetëm fjalë këto që po them, por të marrim veprime konkrete që ta shtyjmë procesin përpara.”
Islam Shabani Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë e ka shprehur si shqetësim numrin e lartë të nxënësve në këtë shkollë
“Kemi një rritje shumë dinamike. Vetëm prej majit kanë ardhur 600 nxënës më shumë. Kjo është ndër shkollat më të mëdha të komunë, numëron 2700 nxënës. Vitin e kaluar ka punuar shkolla me ndërrim të tretë. Këtë vit kemi vendos që ciklin e lartë të kësaj shkolle ta dërgojmë në shkollën e ndërtuar nga Ministria e cila është larg 2 km. Që disa vite ballafaqohem edhe me numrin e arsimtarëve, këtë vit kemi marr 10 arsimtar jashtë listës së pagave. Ne kërkojmë nga ju që të na mirëkuptoni në çështjen e normave sepse ne nuk do të dimë si ti paguajmë arsimtarët,” deklaroi Shabani para ministrit Bytyqi.
Ismet Gashi drejtor i shkollës “Mihal Grameno” përveç problemit me numër të madh të nxënësve ka paraqitur kërkesën për shtimin e numrit të mësimdhënësve, raporton EO.
“Brenga që na shqetëson është numri i madh i nxënësve . Kjo na krijon kushte të vështira për organizim të disiplinës. Kemi vështirësi tek vlerësimi, kemi një dozë të frikës që mos po ju mbetemi në hak nxënësve.
Si vështirësi ai ka përmendur edhe mbajtjen e pastërtisë sepse është nivel i vogël i punëtorëve.
“Kemi nevojë në këtë vit shkollor të shtojmë edhe 12 paralele, 6 në ciklin e ulët dhe 6 në ciklin e lartë. Ne dy vitet e fundit kemi shqetësim edhe me fëmijë me nevoja të veçanta sepse për shkak të numrit të madh të nxënësve mësuesit nuk e kanë mundësinë të merren vetëm me këta nxënës. Do të donim që të kenë kujdestarë këta fëmijë.”