Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, priti në takim një grup studentësh, të angazhuar për organizimin e Konferencës Ndërkombëtare të Studentëve të Universitetit të Prishtinës me temë “Edukimi në Ndërmarrësi “, me të cilët bisedoi për aspekte përmbajtësore e organizative të kësaj Konference, në të cilën do të marrin pjesë edhe studentë të universiteteve nga vende të ndryshme.
Bytyqi, me këtë rast, ka përgëzuar për organizimin e kësaj ngjarje ndërkombëtare, për të cilën tha se është një rast i mirë që të dëshmojmë se dimë dhe mundemi të organizojmë konferenca të nivelit të tillë ndërkombëtarë.
“Ne ndjehemi krenarë vazhdimisht kur dëgjojmë edhe për sukseset e studentëve tanë kudo në evenimente shkencore dhe përkrahja jonë nuk do të mungojë, në punën e tyre kërkimore shkencore, por edhe organizative siç është ky rast” , tha Bytyqi.
Bytyqi theksoi se synimi ynë është që në Universitetin e Prishtinës të angazhojmë edhe kuadrot tona të dëshmuara me punë kërkimore shkencore jashtë vendit, e që e bëjnë UP-në një institucion prestigjioz dhe të preferuar për të gjithë.
Ndërsa Vegim Hoti, në cilësinë presidentit të Konferencës, tha se interesimi për pjesëmarrje në këtë konferencë është rritje dhe se temat që do të trajtohen kryesisht janë të fushës së ekonomisë, ndërsa Këshilli Shkencor për vlerësimin e ekstrakteve të kumtesave do të jetë i përbërë nga profesorë të Universitetit të Prishtinës, si dhe dy profesorë nga Rusia dhe Bullgaria. Ai, njëherësh, e ftoi ministrin Bytyqi që të jetë pjesëmarrës në fillimin e punimeve të Konferencës.
Konferenca do të mbahet nga data 18 – 22 qershor të këtij viti në Prishtinë. Projekti implementohet nga UP-ja në bashkëpunim me OJQ “UPRIA “.