Ministri në detyrë i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka vizituar shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë ku është takuar me menaxhmentin e kësaj shkolle.
Bytyqi në një postim në Facebook është shprehur se kjo shkollë është model për shkollat e tjera dhe qëndron shumë mirë sa i përket korrikulave.
I pari i arsimit në Kosovë është shprehur se do të zotohet që të vashdohet me projekte që kanë për qëllim trajnimet efikase dhe poashtu që do të angazhohet që të larhone nga arsimi ndikimet e jashtme.
“Ishte kënaqësi e veçantë që bashkë me Dardanin ta vizitojmë Sh.F.M.U. “Qamil Batalli” në Prishtinë, një shkollë e cila mund të jetë model për shkollat e tjera.
Me këtë rast i përgëzuam drejtuesit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle për punën e bërë në menaxhim dhe rritjen e cilësisë.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), por edhe niveli lokal duhet të marrin parasysh praktikën e mirë të kësaj shkolle.
Sa i përket zbatimit të kurrikulave, Sh.F.M.U. “Qamil Batalli” qëndron shumë mirë dhe trajnimi i mësimdhënësve ka qenë i suksesshëm, prandaj nuk i kanë ato vështirësitë me të cilat ballafaqohen shumë shkolla në vendin tonë.
“Para të pranishmëve u zotuam se do të vazhdojmë me projekte të cilat kanë për qëllim trajnimet efikase për mësimdhënës dhe jo trajnimet formale pa rezultat”.
“Ideja është që t’i identifikojmë saktë nevojat që kanë mësimdhënësit tanë, por duke pas parasysh gjithnjë praktikat e mira. Gjatë kësaj vizite, diskutuam edhe për matjen e performancës së mësimdhënësve dhe ky proces nuk ka për qëllim që t’i dëmtojë ata, përkundrazi do t’i avancojë në karrierë”.
“Zotohemi se çdo gradim do të ketë të ardhura shtesë dhe ky model do të realizohet në një të ardhme të afërt”, ka theksuar Bytyqi.
“Po ashtu do të angazhohemi që t’i largojmë nga arsimi ndikimet e jashtme dhe në këtë drejtim jemi duke përgatitur një model online për punësimin e mësimdhënësve të rinj”.