Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka mbajtur konferencë për medie lidhur me procesin e teksteve të reja shkollore, raporton Ekonomia Online.
Bytyqi ka thënë se procesi i teksteve shkollore është në fazën finale dhe se viti i ri shkollor për klasat 0-1-6-10 dhe 2-7 dhe 11 do fillojë me tekstet e reja shkollore.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore kanë bërë realizimin e planit të teksteve të reja shkollore.
“Procesi ka filluar nga viti i kaluar dhe tashmë jemi në pjesën përfundimtare. Tashmë është një lajm i mirë që në fillim të vitit do t’i kemi tekstet e reja shkollore të cilat pothuajse i kemi para finalizimit. Fillimisht është themeluar Këshilli i Ekspertëve të Programeve të Teksteve Shkollore “KEPSHT”, ku kanë bërë realizimin e planit të teksteve të reja shkollore. KEPSHT ka pasë bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri, ku kanë shkëmbyer përvojat. Jemi dakorduar që organizimin për rishikimin”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka folur edhe për shpenzimet dhe koston e përgjithshme.
“Kanë qenë të regjistruara të gjitha buxhetimet e planifikuara nga KEPSHT-i. Kemi pas shpenzime të ulëta. Faza e parë : Shqipëri-Kostoja 27 mijë 480 euro, Hotel “Emerald” 12 mijë 654 euro. Faza e Dytë Shqipëri- Kostoja 34 mijë 260 euro. Kostoja Totale 74.394 euro”, tha ai.
Ai tha se Abetarja dhe librat e gjuhëve të huaja nuk janë përfshirë.
“Tashmë gjithçka është përfunduar dhe ne do t’i shpallim të gjithë fituesit. Asnjë libër që nuk i përmbush kushtet nuk do të kalojë. Do të tërhjekim çdo libër që nuk përmbahet me kushtet dhe shpresoj që të mos kemi”, tha ai.
Kryetari i KEPSHT-it, Ferim Gashi, ka bërë prezantimin e librave me shifra të cilët kanë kaluar dhe se shpejti do t’i publikojmë edhe emrat e shtëpive botuese.
Deri më tani asnjë libër nuk është i caktuar përfundimisht pasi që ka libra që kanë vërejtje dhe deri sa shtëpitë botuese nuk marrin hapat për riparim nuk kalojnë.