Trajneri spanjoll i hendbollit, Javier Cabanas, u prezantua më 10 mars si trajner i kampiones së Kosovës, Besa Famgas. Ai kishte ardhur në Pejë me synimin që ta ngritë edhe më shumë hendbollin kosovar me sistemin spanjoll të hendbollit, të njohur në botë.
Shtatë muaj më vonë, Cabanas ka marrë edhe një detyrë shtesë, të cilën nuk e ka menduar ndonjëherë, shkruan KOHA.
Tekniku spanjoll, Cabanas, do ta drejtojë Përfaqësuesen e Kosovës në hendboll në dy ndeshjet e para të raundit të dytë kualifikues për “Euro 2022”.
Cabanas, që vlerësohet lart për profesionalizmin në klubin pejan Besa Famgas, do të jetë vetëm zëvendësues i selektorit Taip Ramadani për këto dy ndeshje. Selektori Ramadani do ta emërojë ekipin për dy duelet e radhës, por nuk do të jetë pranë hendbollistëve kosovarë për shkak se jeton në Australi. Si pasojë e situatës së krijuar me koronavirus, Ramadani e ka të pamundur të udhëtojë për në Kosovë.
Vendimin që Cabanas të jetë në krye të ekipit e ka marrë të mërkurën kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini.
“Nuk e kam pritur që të kem punë tjetër përveçse në Besa Famgas. Kam qenë i koncentruar me klubin tim, dhe kryetari im më thirri dhe më kërkoi që të jap ndihmën time për Federatën e Hendbollit të Kosovës, për këto dy ndeshje”, ka thënë Cabanas të enjten në intervistën dhënë KOHËS. Ai shtoi se të gjitha palët ishin të pajtimit që të ndodhë ky bashkëpunim.
Cabanasi, që nga momenti kur ka ardhur në Kosovë, e ka vlerësuar shumë vendin dhe sportin e hendbollin kosovar. Kjo ka qenë një prej arsyeve pse ai vendosi që ta marrë detyrën e re, ndonëse përkohësisht.
“Kam vendosur të jem përzgjedhës i Kosovës në hendboll përkohësisht, për disa arsye. Jam shumë komod në Kosovë dhe do të mundohem ta ndihmoj Kosovën në mënyrë të përkryer. Arsyeja e dytë është se do të jetë eksperiencë e re për mua”.
Kosova do të luajë më 4 nëntor ndaj Malit të Zi në Podgoricë, ndërsa më 8 nëntor e pret Suedinë në Prishtinë. Ramadani, të premten (sot), pritet ta shpallë listën.
Për spanjollin do të jetë kohë e shkurtër për t’i njohur mirë lojtarët që luajnë jashtë vendit. Por, Cabanasi beson se një javë do të jetë e mjaftueshme.