Kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, i cili mori pjesë në hapje të Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”, ka thënë se është e rëndësishme që kompanitë të bashkëpunojnë mes vete dhe se Oda e Serbisë, së bashku me Odën e Kosovës dëshirojnë ta promovojë këtë rajon si një rajon i bashkëpunimit dhe suksesit, në vend të konfliktit.
Ai tha se këtë herë, në panair ka kryesisht kompani të vogla dhe të mesme, të cilët kanë diçka për të treguar dhe ndoshta të gjejnë partnerë.
“Ne presim një bashkëpunim më të mirë, megjithëse nuk është aspak keq, pasi tashmë kemi kompani të mira që tashmë e kanë gjetur tregun këtu. Ne ndihmojmë kompanitë që të gjejnë treg këtu”.
Ndërkohë, ai paralajmëroi 70 kompani nga Kosova pritet që muajin e ardhshëm, në maj, të marrin pjesë në Panairin e Bujqësisë në Novi Sad. “Pra, kjo nuk është një rrugë njëkahëshe. Ne kemi nevojë për të balancuar shkëmbimet tregtare në të dy anët. Është e rëndësishme që këta njerëz së bashku të gjejnë punë dhe të bëjnë investime”, tha Cadezh.
Në panairin e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), që do të mbahet prej datës 18 deri më 21 prill, në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj, prodhimet dhe shërbimet e tyre po i ekspozojnë edhe 70 kompani nga Serbia; ndërsa vetëm një është nga Shqipëria.
Kjo ka nxitur reagimin e disa organizatave të tjera që përfaqësojnë biznese, sikurse dhe të Vetëvendosjes që kanë akuzuar OEK-un dhe Qeverinë e Kosovës për favorizim të kompanive nga Serbia.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, në hapje të panairit, tha se në këtë panair promovohen vlerat e ndërmarrësisë dhe integrimit evropian.
“Agjenda politike viteve të fundit i ka lënë në hije aktivitetet ekonomike. Sot me praninë e juaj Prishtinën e keni shndërruar në kryeqytet të Ballkanit Perëndimor për aktivitete ekonomike. Promovohen vlerat e ndërmarrësisë dhe integrimit evropian, kjo i jep ekonomisë kuptim më ndryshe, por mbi të gjitha mund të sigurojë garanci politike dhe ekonomike, si dhe të ndryshojë percepcionin. Kemi numer të madh të kompanive, nga ndërtimtaria, IT-ja, etj. Dua të besoj që nga ky panair do të dalë me një mesazh për ndërtimin e ardhmërisë”.
Gërxhaliu ka kërkuar që politika të ndahet nga ekonomia, raporton EO.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/ekonomi/70-kompani-serbe-pjesemarrese-ne-panair-gerxhaliu-kerkon-qe-politika-te-ndahet-nga-ekonomia/