Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Glauk Konjufca, ka pritur në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, raporton Ekonomia Online.
Konjufca e falënderoi Cakajn për mbështetjen e vazhdueshme si dhe tha se mbledhja e radhës e dy qeverive do të bëhet në koordinim mes dy ministrive të jashtme.
“Jeni në republikën tonë në Republikën tënde, jemi shumë të gëzuar për këtë takim pasi raportet me Shqipërinë nuk mund t’i quajmë me fjalën të shkëlqyeshme, por ne kemi raporte vëllazërore. Ne ndaj njëri tjetrit kemi më shumë obligime sesa falënderime. Është bërë një punë e madhe por dëshira për t’u thellua është e madhe. Marrëveshjet që janë arritur deri tash do të përpuqemi ti zbatojmë, mbledhja e përbashkët që do të ndodh në Shkodër ne do të jemi në koordinim maksimal do të shkojë në përmes këtyre dy ministrive, do të jetë një organizim shumë i mirë dhe me marrëveshje shumë konkrete”, tha ai.
Konjufca tha se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare duhet të përmirësohen me shtetin shqiptar, ndërsa tha se tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe ka rritur shkëmbimet me Shqipërinë për 300 për qind.
“Prej që është vendosur tarifa 100% shkëmbimet prej Shqipërisë janë rritur 300% por kjo nuk ka ndodh me mallrat që shkojnë prej Kosovës në Shqipëri, por kjo do të përmirësohet”, tha ai.
Kurti lavdëroi homologun e tij shqiptar për iniciativën për bashkimin e partive shqiptare në Luginë dhe Mal të Zi.
“Veprimeve që i kemi parë përmes Shqipërisë, iniciativën e Cakajt për t’i bashkuar partitë në Luginë, për listë të përbashkët për të shkuar në zgjedhje ne e përshëndesim këtë akt, Cakaj më njoftoi se këtë do ta bëjë edhe në Mal të Zi, dhe ne e mbështesim.
Konjufca po ashtu falënderoi ministrin Cakaj për mbrojtjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ne tashmë e dimë që në çdo takim që e ka zoti Cakaj dhe bashkëpunëtorët e tij i tërë misioni i jashtëm diplomatik në të gjitha vendet që veprim e ka politikë ditore mbrojtjen e Kosovës, ka qenë shumë aktive dhe nga kjo kampanja e padrejtë e Serbisë për çnjohje, por edhe kryeministri Rama kanë qenë shumë aktiv të pengohet kjo iniciativë”, tha ai.
Ndërsa ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj mes tjerash tha se do të nënshkruhen dy marrëveshje me rëndësi, si ajo për financim dhe mbështetje për lobim për Kosovën si dhe marrëveshja për rrugën e integrimit në BE.
“Puna e tij në një kohë kur ka pikëpyetje të shumta është thelbësore për pozicionin e Kosovës, unë jam i nderuar që jam sot këtu në Prishtinë, e para faktori kohë për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit, dhe ta thellojmë bashkëpunimin. Populli i Kosovës ka shfaqur një solidaritet, qeveria e republikës së Kosovës ka dhënë një financim të vyer për tërmetin në Shqipëri. Tërmeti na dëshmoi që kufiri është vetëm simbolik, ky kufi nuk duhet të jetë fare duhet të hiqet fare”.
“Jemi pajtuar të mobilizojmë grupet e punës për të kurorëzuar këtë proces. Politika e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të kenë një qasje me synime komplementare tash e tutje duhet të kemi një bashkëpunim maksimal. I kam propozuar dy marrëveshje sa për fillim, në fushën e jashtme. Duhet të firmosim një marrëveshje për ndarjen e shpenzimeve për lobimin për Kosovën. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë një orë e më parë, e dyta është marrëveshja për shkëmbimin e përvojave, në integrimin evropian shprehim gatishmërinë ta ndajmë me Shqipërinë”, tha ai.
Cakaj tha se këto dy marrëveshje do të kenë dy komponente. Atë kombëtar dhe evropian, teksa përmendi edhe iniciativën për bashkimin e shqiptarëve në Luginë e Mal të Zi.
“Këto dy marrëveshje do të kompletojnë dy elemente. Elementi kombëtar dhe e dyta elementin evropian. Një prej qëllimeve themelore të Shqipërisë është forcimi i rolit të shqiptarëve në rajon, kemi thelluar komunikimin me Luginë dhe me shqiptarët në Malin e Zi. Partitë në Luginë do të garojnë me një listë në zgjedhjet në serbi, të njëjtën po përpiqemi ta bëjmë edhe në mal të zi. Projekti në serbi për listën e përbashkët nuk është vetëm projekt i joni por është edhe produkt i drejtpërdrejtë i presidentit Hashim Thaçit”, tha ai.
Konjufca u pyet nga gazetarët për akuzat që Vetëvendosje i kishte drejtuar Cakajt kur ky i fundit ishte emëruar ministër në Shqipëri, duke e konsideruar edhe si tradhtar.
Ai tha se tani përfaqësojnë dy shtete dhe jo agjendat ditore.
“Ne këtu përfaqësojmë shtetet tona, që janë produkt i luftës për pavarësi me shekuj, kjo nuk do të ndryshoj sa do që janë politika ditore, unë mund të them se nga ana e republikës së Shqipërisë nuk kemi parë pozicion pengues por vetëm ndihmesë”, tha Konjufca.