Ministri në detyrë për Punë të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj, ka thënë që Michael Roth, ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme Federale është një artikulues i fuqishëm i procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Cakaj ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë në projektin evropian të Shqipërisë.
Statusi i plotë i Cakajt:
Roth në vijimësi ka shprehur vlerësimin e tij për progresin madhor të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe (me theks të veçantë reformën në drejtësi). Ai po ashtu i kushton një vëmendje të posaçme edhe rëndësisë gjeostrategjike të fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë në qershor të këtij viti.
Këto qëndrime janë shfaqur edhe këtë radhë në takimin tonë bilateral: hapja e negociatave për Shqipërinë në qershor të këtij viti është më se e merituar dhe në interes të vetë rajonit e BE-së në tërësi.
Tepër mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë për projektin evropian të Shqipërisë.