Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë Gent Cakaj, gjatë qëndrimit në Shkup, u takua edhe me dy zëvendëskryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe Nikola Dimitrov.
Takimi i Cakajt me Grubin u fokusua në diskutime mbi disa projekte në infrastrukturë dhe energji, që duhet të jenë në qendër të mbledhjes së ardhshme ndër-qeveritare.
“Ndamë krejtësisht të njëjtën pikëpamje për suksesin e pashembullt të ngritjes së shqiptarëve në institucionet qendrore të Maqedonisë së Veriut dhe faktin se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë”, tha Cakaj në një postim në Facebook.
Sa i përket takimit me zëvendëskryeministrin Dimitrov, Cakaj theksoi se tema e diskutimit ishte puna e dy vendeve drejt mbajtjes së Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare.
“Ashtu siç kemi punuar bashkërisht nga qershori 2018 në procesin e ‘screening’, u pajtuam të thellojmë bashkëpunimin mes vendeve në nivel teknik e politik, për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, përfundoi Cakaj reagimin e tij.