Shërbimi Diplomatik ka qenë dhe vijon të mbetet padyshim një nga sektorët ku shumë të rinj kanë ambicien që të bëhen pjesë. Pas disa reformave të ndërmarra nga Ministria për Evropës dhe Punët e Jashtme, ku një sërë diplomatësh u transferuan dhe të tjerë u liruan nga Shërbimi Diplomatik, tashmë i jepet mundësia të rinjve që të bëhen pjesë e diplomacisë shqiptare.
Me anë të një postimi në Facebook, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka dhënë lajmin se 12 pozicione janë të lira në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë.
Cakaj shton se kjo shpallje është pjesë e përpjekjes së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të përfshirë ekselentët në trupën diplomatike shqiptare.
“Ndryshimet e ndërmarra deri më tani, kanë krijuar një hapësirë shumë më të madhe për ekselentët, profesionistët dhe personat me aftësi cilësisht të dalluara në përgjithësi. Kjo gjeneratë e re diplomatësh do të ushtrohet në trajnime të veçanta e do të trajtohet me një kujdes të posaçëm për t’u bërë një gjeneratë elitë e diplomacisë shqiptare në perspektivë afatgjatë!”, – shkruan Cakaj.
Kreu i diplomacisë saktëson dhe siguron se procesi i përzgjedhjes së diplomatëve të ardhshëm dhe shërbyesve civilë të rinj do të jetë i mbështetur tërësisht mbi merita profesionale dhe vlerësime objektive. Por nuk do të jenë vetëm këto 12 pozicione. Gent Cakaj paralajmëron se shumë shpejt Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të shpallë edhe më tepër vende të lira për diplomatët e ardhshëm për të ndërtuar një shërbim të shkëlqyer diplomatik.