Cakolli kërkon hetime për manipulim votash: Dyshime për përfshirje të kandidatëve

Prishtinë | 18 Jan 2026 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar lidhur me dyshimet për manipulim të votave, duke kërkuar veprim urgjent nga Prokuroria për nisjen e hetimeve penale.

Sipas Cakollit, institucionet e drejtësisë po heshtin përballë asaj që ai e cilëson si manipulim të votave me përmasa të mëdha, madje “industriale”, në disa vendvotime dhe komuna. Ai ngre pikëpyetje se pse ende nuk ka veprime konkrete, ndonëse, sipas tij, të dhënat janë të qarta.

“Ku është dhe çka po pret Prokuroria që nuk po nisë hetimet dhe ndjekjet penale për manipulimin e votave të kandidatëve – që në disa vendvotime e komuna kanë marrë përmasa industriale?!”, ka shkruar Cakolli.

Ai thekson se identiteti i komisionerëve në secilën tavolinë numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit është i njohur, por sipas tij, manipulimet nuk mund të jenë kryer vetëm nga ta.

“Emrat e komisionerëve për secilën tavolinë numërimi në QKN dihen. Por këto manipulime nuk janë bërë krye në veti nga komisionerët”, ka theksuar ai.

Cakolli vlerëson se numri i madh i votave të shtrembëruara nuk mund të konsiderohet si rastësi apo gabim njerëzor, duke aluduar në një organizim më të gjerë.

“Dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra në nivel komune – kryesisht për kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre – nuk janë as rastësi, as gabim njerëzor”, ka shkruar ai.

Ai sugjeron se edhe kandidatët e përfshirë mund të kenë rol në këto skema dhe se hetimet duhet të shtrihen më gjerë.

“Prandaj, përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto skema është shumë e mundshme. Kështu që, hetimi, pashmangshëm duhet t’i përfshijë edhe ata”, shtoi Cakolli.

Të ngjashme