Cakolli: Rënia e LDK-së në 13% tregon krizë të thellë politike dhe mungesë drejtimi të qartë

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 21:05 | Nga Ekonomia Online

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke vlerësuar se rënia e saj në rreth 13 për qind nuk është më një problem teknik apo organizativ, por një krizë e thellë politike dhe identitare.

“Në politikë, humbjet e rënda menaxhohen me guxim për t’u përballur me realitetin. Rënia e sërishme e LDK-së në 13%, kësaj radhe pa çarje e ndarje dramatike si në dy rastet paraprake, tregon se problemi nuk është thjesht teknik apo organizativ”, ka shkruar Cakolli.

Sipas tij, ky rezultat është sinjal se oferta politike e LDK-së nuk po bind më në një sistem të polarizuar, të dominuar nga Albin Kurti në njërën anë dhe një opozitë e ngurtë në anën tjetër.

Duke folur për përplasjet e fundit në parti, Cakolli thekson se ato nuk janë thjesht emocionale, por lidhen me vizionin për të ardhmen e LDK-së.

“Qasja e kryetarit Abdixhiku duket të jetë vazhdimësia institucionale, respektimi i procedurave dhe një kalibrim i ngadalshëm. Si qasje, është e sigurt dhe e kontrolluar, por ende nuk e bën të qartë se si LDK kthehet në forcë fituese”, vlerëson ai.

Në anën tjetër, Cakolli thotë se një qasje tjetër po artikulohet përmes Hykmete Bajramit, e cila, sipas tij, kërkon shkëputje më të qartë nga status quo-ja.

“Kjo qasje e pranon humbjen si problem legjitimiteti, kërkon urgjencë për zgjedhje të brendshme, ripozicionim më të mprehtë përballë Kurtit dhe një identitet më të luftarak opozitar”, shkruan ai, duke shtuar se kjo rrugë sjell tensione, por historikisht ka krijuar mundësi reale për ringritje.

Cakolli rikujton se përvojat politike tregojnë se partitë që fokusohen vetëm në ruajtjen e rendit të brendshëm pas humbjeve stabilizohen, por zakonisht mbeten në nivele mesatare.

“Ndërsa ato që e vendosin në qendër debatit drejtimin e ri politik dhe lidershipin, edhe pse përjetojnë përplasje, shpesh arrijnë të rikrijojnë identitet dhe energji”, thekson ai.

Sipas tij, problemi thelbësor i LDK-së mbetet mungesa e një përgjigjeje të qartë për rolin e saj në epokën e Kurtit.

“Gardiane e qetë institucionale, forcë qendrore korrigjuese, parti shtetformuese konservatore, apo pol i fortë opozitar? Ky mjegullim i identitetit u reflektua edhe më 28 dhjetor, kur u pa se qytetarët nuk votojnë vetëm për procedura, por për drejtim të qartë politik dhe lidership që e mishëron atë”, ka shkruar Cakolli.

Ai shton se edhe gara brenda-partiake duhet parë në këtë prizëm, duke theksuar se hapja e saj nuk mjafton pa krijimin e kushteve reale për konkurrencë të barabartë.

“Lënia e dorëheqjes ‘peng’ e vendimmarrjes nga Kuvendi vështirë se mund të quhet marrje përgjegjësie substanciale”, vlerëson ai.

Cakolli paralajmëron se sfida e LDK-së nuk është vetëm menaxhimi i situatës aktuale, por një rishikim i thellë politik.

“Përndryshe, ekziston rreziku që ‘administrimi i rënies’ ta shndërrojë këtë rezultat jo në pikë kthese, por në gjendje të përhershme, ku 12-15 për qind nuk janë më fundi, por kufiri optimal i partisë”, përfundon ai.

Të ngjashme