Demokracia Studentore Anulimin e seancës së sotme në rastin e kishës Ortodokse të vendosur me dhunë në kampusin e universitetit të Prishtinës nga regjimi i Millosheviqit e konsideron të njëanshme dhe politike.
Në një njoftim të kësaj organizate shprehet shqetësimi i tyre për caktimin e një gjyqtari serb në këtë rast.
“Ne si organizatë jemi të shqetësuar se si Gjykata e Republikës së Kosovës e cakton në këtë rast një gjyqtar serb i cili pa asnjë bazë ligjore e shtynë seancën me arsyetimin se për shkak të mos dërgimit të ftesave në mënyrë të rregullt, dhe nuk do të mbahet seanca gjyqësore për padinë e Universitetit të Prishtinës ndaj Kishës Ortodokse “Sveti Nikolla”, thuhet për media.
“Gjyqtari Jovica Mitroviq, në fillim të seancës deklaroi se Gjykata ka bërë një lëshim duke mos dërguar në mënyrë të rregullt ftesa për pjesëmarrjen e palëve në procedurë dhe kjo dihet ashiqare që shtyrja e kësaj seance është e njëanshme dhe politike duke e mbrojtur objektin të vendosur me dhunë nga regjimi i Slobodan Milosheviqit i cili simbolizon spastrimin etnik ndaj shqiptarëve”, thuhet tutje.
Andaj si organizatë kanë kërkuar nga Gjykata e Republikës së Kosovës që këtë rast ta përjashtoj këtë gjyqtarë dhe apelojmë ndaj liderëve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare mos të heshtin përball kësaj padrejtësie por ta marrin seriozisht dhe parcela t’ju rikthehet UP-së dhe objekti të funksionoj si muze e krimeve të luftës së fundit në Kosovë.