Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Vesel Krasniqi, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Caritasit Zviceran për Kosovë, të cilët i ka njoftuar me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë për sektorin e bujqësisë, si dhe për zhvillimet e përgjithshme në këtë sektor, transmeton Ekonomia Online
Sipas një komunikate për medie nga MBPZhR-ja, gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e Caritasit Zviceran kanë prezantuar edhe mundësitë për bashkëpunim në projektet e tyre për përkrahjen e fermerëve në zonat rurale.
Me këtë rast, zëvendësministri Krasniqi, ka falënderuar përfaqësuesit e Caritasit për mbështetjen e dhënë për sektorin e bujqësisë në vend dhe iu ka ofruar përkrahjen e ministrisë në realizmin e projekteve tjera që kanë të bëjnë më mbështetjen, zhvillimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Caritas-it Zviceran për Kosovë, Vera Haag Arbenz, vlerësoi të arriturat në bujqësi në Kosovë dhe e njoftoi zëvendësministrin me format e bashkëpunimit, të cilat ata janë të gatshëm t’i fillojnë për bujqësinë në Kosovë.