Carpenter: Zgjedhjet në Kosovë dhe Serbi mund të vonojnë arritjen e marrëveshjes

Prishtinë | 09 Gus 2019 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Ish-zyrtari i Pentagonit që ka qenë përgjegjës për Ballkanin, Michael Carpenter, vlerësoi se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, si dhe zgjedhjet e vitit 2020 në Serbi, mund të vonojnë marrëveshjen midis Beogradit dhe Prishtinës.

Carpenter tha në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, se periudha e zgjedhjeve është një kohë shumë e keqe për të negociuar marrëveshje ndërkombëtare.

“Fakti që Kosova nuk ka një kryeministër është një pengesë e madhe, dhe koha e zgjedhjeve është gjithashtu e përshtatshme për ata që mbrojnë pikëpamje më të ashpra politike, gjë që është e keqe për të arritur një marrëveshje. Unë nuk do të thoja që një marrëveshje është e pamundur, por duket se nuk ka gjasa”, tha Carpenter, transmeton rel.

Sipas tij, rrethanat politike të brendshme në Serbi dhe Kosovë duket se janë të tilla, që ideja e një “shkëmbimi territoresh” mund të ketë sukses, por sipas tij, ende ka ardhur momenti për këtë, as në Kosovë dhe as në Serbi.

“Unë nuk besoj se vazhdimi i dialogut, i udhëhequr nga Federica Mogherini, do të çonte në diçka konkrete. Unë mendoj se nëse Serbia dëshiron të kapërcejë atë pengesë, dhe të njohë pavarësinë e Kosovës, do të duhet të marrë diçka shumë konkrete në këmbim, diçka që qytetarët do ta konsiderojnë të vlefshme”, tha ai.

Carpenter shtoi se administrata aktuale e SHBA-së dëshiron të shfrytëzojë mundësinë për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis Serbisë dhe Kosovës, duke shtuar se mbështetja për idenë e shkëmbimit të territorit, nuk ka asnjë lidhje me ndarjet partiake në Amerikë.

Duke iu referuar rolit eventual të Rusisë, Carpenter tha se “nga këndvështrimi i Moskës, është më mirë të vazhdojë një konflikt midis Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo i lejon Rusisë të paraqitet si mbrojtës i interesave serbe dhe kundërshtar i Kosovës”.

“Unë nuk mendoj se është në interesin e Kremlinit për të zgjidhur këtë çështje”, tha zyrtari amerikan.

Të ngjashme