Çarshia e praruar e Gjilanit

Gjilan | 14 Tet 2018 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Çarshia e vjetër ka ndryshuar krejtësisht pamjen. Kanë ndërruar edhe zejet që dikur ushtroheshin në të.

Kalimtarëve më nuk ua vret veshin jehona e çekanëve të teneqepunuesve dhe zanatlinjve të tjerë të vjetër gjilanas. Zanatet e tyre më nuk janë pjesë e qoshes që dikur ishte zemra e Gjilanit. Janë pjesë e librave të historisë së qytetit, shkruan Koha Ditore.

Madje, edhe Çarshisë i është ndërruar pak lokacioni pas tërmetit. I ka lëshuar pak vend xhamisë, që themelet ia shkuli dridhja e tokës. Mirëpo Çarshisë i është shtuar shkëlqimi.

Vitrinat e praruara ua marrin sytë kalimtarëve të rrallë në qoshen prapa xhamisë në rrugën kryesore. Janë mbi tridhjetë dyqane me pamje të njëjta të mbledhura në një vend, bazuar në një projekt të Komunës dhe argjendarëve.

Gjithkush në qytet dhe rrethinë e di këtë adresë. Muajve të verës, Çarshia e vjetër me pamje të re shndërrohet në pikë reference edhe për çiftet e reja të rajonit. Argjendarët thonë se myshterinjtë po këqyrin shumë e po blejnë pak në vjeshtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme