Para disa muajve në vendin tonë dhe në Ballkan është shfaqur sëmundja gungore e lëkurës tek gjedhet. Ndonëse për këtë sëmundje në vendet tjera është marrë masa, në Kosovë kjo gjë nuk po ndodhë, kështu u shpreh Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai përmes një konference për medie tha se kjo sëmundje ka dëme të mëdha socio-ekonomike, kur dihet fakti se fermerët në Kosovë të vegjël dhe detyrojnë të braktisin këtë aktivitet.
“E keni dëgjuar me siguri se shumë eksponentë të Qeverisë dhe të institucioneve siç është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, e cila është kapur nga ky pushtet dhe nuk merr asnjë përgjegjësi që duhet të ketë në parandalimin e sëmundjeve infektive, kanë deklaruar në përgjithësi se pronarët me këtë humbje do të kompensohen”, u shpreh Çaushi.
Ai tha se ka me qindra-mijëra raste të tilla që kafshët kanë ngordhur dhe se vazhdojnë të jenë të sëmura.
Çaushi e konsideron skandaloz deklarimin e AUV-së se kafshët e sëmura mund të konsumohen, përderisa një gjë e tillë sipas tij është e ndaluar.
“Problem tepër i rëndësishëm në mënyrën sesi do të duhej të trajtohet kjo sëmundje është vaksinimi i kafshëve, një gjë e tillë nuk ka ndodhë në masën e duhur”, tha Çaushi.
Ai tha se të gjitha shtetet përreth e kanë kryer vaksinimin e kafshëve, ndërsa një gjë e tillë në Kosovë nuk po ndodhë. Sipas tij, kjo po shkakton humbje dhe po i sjell fermerët para falimentimit.
“VV e ka thënë në vazhdimësi se problem i rëndësishëm dhe që e dëmton ekonominë e vendit është tregtia ilegale me kafshë, e cila ndodhë çdo ditë në komunat kufitare, bile në rastin konkret është shfaqë në komunën e Dardanës dhe e cila është komuna me gjasë e ka tregtinë më të madhe me kafshë, dhe ky mund të jetë faktori kryesor që e ka sjellë deri te burimi i këtij infeksioni”, përfundoi Çaushi.