E qartë tashmë që secila marrëveshje koalicioni VV – LDK, pa postin e Presidentit, do të jetë marrëveshje për qeverisje vetëm 1 vjeçare. Duke u afruar koha e përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, do të shohim ndryshim drastik i gjithë ekuacionit qeverisës!
Pa marrëveshje për President, ndarja e ministrive do të jetë asimetrike, në disproporcion me votën e fituar, dhe i gjithë viti qeverisës do të jetë ‘luftë’ ditore për vendime populliste, dhe për dominim politik në opinion dhe popull, për të përmbysë apo thelluar rezultatin e ngushtë zgjedhor prej vetëm 1.2% dallim mes dy partive të para.
Pa marrëveshje për President, pabarazia politike do të thellohet mes dy partive, në disfavor të partisë së parë, të cilës do i kushtojë shtrenjtë këmbëngulja bllokuese paraqeverisëse ndaj LDK-së, me ‘koncesione’ në vendime e ‘lëshime’ në emërime.
VV si parti e parë, rrahagjoksëse e madhe verbale për parime e drejtësi, do duhej t’i aplikonte parimet praktikisht në futjen e reformës zgjedhore si pjesë së marrëveshjes për koalicion (e cila do t’a ndryshonte formën e zgjedhjes së Presidentit) e jo të këmbëngul si ‘adoleshente’ në heqjen e së drejtës së LDK-së për kandidat për President 2021 pa i ndryshuar premisat kushtetuese. Fundja, e drejta për të nominuar kandidatin për President 2021 nga koalicioni i mundshëm qeverisës është edhe legjitime edhe ligjore, kur VV përveç Kryeministrit, e ka tashmë edhe Kryeparlamentarin.
Pa reformë zgjedhore, mosinteresimi i VV-së për formim të qeverisë nën arsyetimin e mosmarrëveshjes për postin e Presidentit, shpërfaqë haptas dëshirën dhe vullnetin e madh që edhe këtë post t’a marrë për vete. Kjo shihej qartë sot edhe në reagimin e anshëm të Rexhep Qosjes.