Kryetarja e tanishme e Partisë Kristian-demokrate të Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer, ka thënë se partia e saj mund ta shtyjë zgjedhjen e liderit të ri ose liderës së re deri në dhjetor për shkak të koronavirusit.
Kryetarja e re ose kryetari i ri do të jetë figura kryesore e mundshme për të garuar edhe si kancelare apo kancelar i ri në zgjedhjet e ardhshme federale, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Kjo mundësi vlen për shkak se kancelarja e tanishme, Angela Merkel, më parë ka bërë të ditur se nuk do të garojë për mandatin e pestë në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës.
Partia në pushtet tashmë e ka anuluar një kongres të veçantë, i cili ishte planifikuar për këtë muaj me qëllim të zgjedhjes së liderit ose lideres së re.
Kramp-Karrenbauer u citua nga agjencia DPA të ketë thënë se po duket gjithnjë e më e mundshme që vendimi i rëndësishëm të mos merret deri në një konferencë të rregullt të partisë, që pritet të mbahet në dhjetor të këtij viti.