Lojtarët e Çekisë të martën e kanë analizuar edhe një herë ndeshjen e kaluar në Kosovë, të cilën e humbën me rezultatin 2:1. Dhe pas videoanalizës së bërë, te Çekia vlerësojnë se ata e meritojnë të kualifikohen në “Euro 2020” e jo Kosova.
Ndeshja Çeki – Kosovë, që luhet të enjten mbrëma në Plzen, mund të vendosë për kualifikimin në Evropian. Çekët me fitore sigurojnë kualifikimin. Me barazim apo fitore të Kosovës gara mbetet e hapur deri të dielën, kur luhen ndeshjet e fundit, Kosova me Anglinë e Çekia në udhëtim me Bullgarinë, shkruan sot Koha Ditore.
Përfaqësuesja çeke të martën është vendosur në Plzen, ku edhe luhet ndeshja.
“Jemi fokusuar në atë që kemi përjetuar në ndeshjen në Kosovë. Të gjithë e kemi ndier që presioni pas ndeshjes ishte i madh. Për disa gjëra pajtohemi, për disa kemi pikëpamje tjetër nga ajo që është shkruar. Besoj se këtë herë do të jetë shumë më mirë dhe që të enjten do të dëshmojmë që e meritojmë ne të jemi në Evropian e jo Kosova”, ka thënë portieri i Çekisë, Tomas Vaclik, që kishte pësuar dy gola më 8 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”. Vedat Muriqi e Mërgim Vojvoda kishin shënuar në atë fitore të madhe të Kosovës. Patrik Schick kishte realizuar për çekët. Ai do të mungojë të enjten, njëjtë si Muriqi te Kosova.
“E dimë që Kosova ka individë të mirë. Por besoj që ne kemi cilësi të krijojmë avantazh nga dobësitë e Kosovës”, ka shtuar portieri i Sevillas. Çekia, njëjtë si Kosova, të hënën ka nisur përgatitjet për ndeshje. Çekia muajin e kaluar fitoi ndaj Anglisë, dhe ky fakt i trimëron çekët.