Federata e Futbollit e Çekisë ka frikë se tifozët e saj do të bëjnë thirrje politike kundër Kosovës gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2020 në muajin nëntor, prandaj thotë se ka marrë masa të rrepta siguri,
Federata çeke u ka bërë thirrje tifozëve të vet të përmbahen nga çfarëdo manifestimi politik, qoftë në mënyrë verbale apo të shkruar gjatë ndeshjes së 14 nëntorit në stadiumin Doosan Arena në Pilsen, si dhe raporton Gazeta Express.
Tifozët çekë kishin planifikuar ta lëshonin mesazhe politike kundër Kosovës përmes një droni gjatë ndeshjes së shtatorit në Prishtinë, të cilën dardanët e fituan 2:1 ndaj Çekisë, por u parandaluan nga policia e vendit.
Policia e Kosovës i arrestoi shtatë tifozë cekë, përfshirë një serb, para se t’i lironte brenda ditës pasi i kishte intervistuar, gjobitur dhe ua kishte konfiskuar disa pajisje të ndryshme.
Tani, Federata e Çekisë vlerëson se kjo ndeshje përbën rrezik prandaj ka marrë një seri masash, përfshirë ndryshimin e mënyrë së shitjes së biletave. Shitja e biletave e paraparë të niste online të enjten, pra sot, është anuluar. Ato do të dalin në shitje më 23 tetor mund të blihen vetëm nga persona fizikë pranë stadiumit.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Çekisë, Martin Malik, tha të enjten se ndeshja kundër Kosovës përben rrezik në aspektin politik.
“Bazuar në të gjeturat jo vetëm në Republikë e Çekisë, ndeshja me Kosovën vlerësohet të jetë e rrezikut të lartë, prandaj garantimi i sigurisë është prioriteti jonë”, ka thënë Malik, duke i shpjeguar arsyet e anulimit të shitjes së biletave online për ndeshje me Kosovën.
“UEFA e ka bërë të qartë se çfarëdo thirrje politike apo raciste nuk i takojnë futbollit dhe nuk do të tolerohen. UEFA është e gatshme të japë dënime shembullore”, shtoi ai.
“Dua t’u bëjë thirrje të gjithë tifozëve cekë ta shmangin çfarëdo thirrje kundër Kosovës, veçanërisht politike dhe gjeste të tjera qoftë verbale apo të shkruara në pankarta apo rroba. Jam i sigurt se gjëja e fundit që ne do të donim do të ishte ndëshkimi me pikë i ekipit tonë kombëtar, i cili do të na kushtonte përfundimisht me dështim në Euro 2020”, shtoi ai.