Republika Çeke ka shpallur të shtunën ditë zie kombëtare pasi një person i armatosur vrau 14 persona dhe plagosi 25 në një universitet në Pragë.
Presidenti Petr Pavel shprehu “trishtimin e tij të madh” dhe “zemërimin për humbjen krejtësisht të panevojshme” të jetëve, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.
Personi i armatosur, për të cilin policia tha se ishte “eliminuar”, besohet të ketë vrarë edhe babanë e tij dhe mund të jetë i lidhur me vdekjen e dy personave javën e kaluar.
Është një nga të shtënat masive më të këqija në historinë e fundit evropiane.
Të shtënat filluan rreth orës 15:00 me orën lokale (14:00 GMT) të enjten në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles në qendër të kryeqytetit çek.
Personi i armatosur hapi zjarr në korridoret dhe klasat e ndërtesës, ndërsa stafi dhe studentët përdorën orendi për të barrikaduar veten në dhoma.