Numri i rasteve aktive të Coronavirusit në Çeki ka shkuar në 5,000 për herë të parë pas raportimit të numrit më të lartë ditor në gati një muaj.
Autoritetet i regjistruan 212 raste të reja të martën, duke e çuar në 5,046 numrin e përgjithshëm të rasteve aktive. Në përgjithësi, deri më tani në këtë shtet janë shënuar 14,324 persona të infektuar me Coronavirus, shkruan “Reuters”.
Vendi i Evropës Qendrore me 10.7 milionë banorë deri më tani i ka regjistruar 360 të vdekur nga sëmundja Covid-19, që është shifër shumë më e vogël sesa viktimat e shënuara në shumë vende të Evropës Perëndimore.
Numri i përgjithshëm i personave të shtrirë në spitale është 148, mbi dhjetë më shumë sesa në fundjavë, por për një të tretën më pak se shifra prej 446 personave që ishin në spitale në kulmin e pandemisë në prill.
Të premten e kaluar, autoritetet i shtrënguan masat kufizuese në pjesën verilindore të vendit, duke e kthyer obligimin për vendosjen e maskave, duke e kufizuar orarin e punës së restoranteve dhe duke dhënë urdhër për kontrolle kufitare.