Ish-ministri i FSK-së, Agim Çeku, thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është orientimi ynë strategjik dhe se pranimi në këtë Aleancë me procedurë të përshpejtuar është i mundur.
Ai shtoi se tani anëtarësimi në NATO është çështje e sigurisë.
I pyetur nëse ka mundësi në këto rrethana të bëhet një përjashtim që Kosova të anëtarësohet me procedurë të përshpejtuar në NATO?
“Ka”, u përgjigj Çeku, duke shpjeguar arsyet. “Shumë gjëra sot shkojnë me procedurë të përshpejtuar. Për shembull, Ukraina për ta blerë një kontingjent të armatimit procedurat e rregullat shkojnë me vite. Edhe FSK-ja ka kontraktuar armatim, por ato armatime parashihen të vijnë pas dy – tre vjetëve. Por tani po e shohim se si me procedura të shkurtra një vendim i presidentit dhe të nesërmen armatimi është në Ukrainë”, tha Çeku në rtv21.
“Kur është në çështje siguria atëherë gjithçka shkon me procedurë të përshpejtuar dhe është e mundshme. Unë e shoh si të mundshme këtë dhe mirë është që më dërguar letër zyrtarisht”, shtoi ai.
“Është e mundshme. Disa vende si Turqia veç janë deklaruar se janë për pranimin e Kosovës në NATO. Është me rëndësi shumë të madhe që Amerika t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese tonë dhe Gjermania apo Mbretëria e Bashkuar edhe të krijohet një masë kritike e vendeve të fuqishme atëherë vendet e tjera vetëm e mbështesin. Kroacia s’ka dilema për një çështje të tillë, Shqipëria nuk ka dilema. Duhet të krijohet një masë kritike e vendeve që e mbështesin pa rezervë dhe gradualisht këto vende të punojnë me vendet që s’na kanë njohur që edhe të na njohin”, tha Çeku.