Koalicioni PDK-AAK-NISMA erdhi si rezultat i dështimit të kryeministrit në detyrë, Isa Mustafa për të marrë vendime të mëdha në interes të shtetit.
Madje, mos guximi i tij për këto vendime ka bërë që vendi të mos zhvillohet.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, Lirak Çelaj.
“Këtë rast të mirë që e pat Isa Mustafa për të dëshmuar veten dhe për të quar vendin përpara nuk e shfrytëzoi, pra e qoi dëm, nuk kishte guxim të marrë vendime, bllokonte situata do të thotë situata të caktuara, nga deputetët e tyre bllokohej vendimmarrja pra nuk kishte një qeverisje që merrte vendime përkundër numrit të madh të deputeteve që kishte, nuk kishte vendimmarrje, nuk kishte guxim për vendimmarrje të mëdha të cilat i duhen shumë Kosovës. Kështu që unë mendoj se ky koalicion do të jetë koalicion i vendimeve të mëdha dhe do të rrisë dinamikën e zhvillimit të Kosovës në vitet në vijim”, ka thënë ai.
Duke folur për koalicionin PDK-AAK-NISMA, Çelaj ka pohuar se këtë të fundit e sheh si koalicion të “skenës politike”.
“Unë këtë e shoh si një proces të evoluimit të skenës politike. Unë besoj që po ndodhë ajo që është përfol moti që skena politike duhet të ndahet në dy blloqe të mëdha dhe mbetet edhe qendra pastaj siç funksionin në shumicën e vendeve perëndimore dhe demokratike. Unë mendoj se këto koalicione gjegjësisht koalicioni PDK-AAK-NISMA është një koalicion i fitores po se po, po i cili do të garantojë një stabilitet më të madh pas zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Sipas Çelajt tërheqja e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli nga kandidimi për postin e kryeministrit të vendit, dëshmon edhe njëherë që ky i fundit nuk e ka ambicie kolltukun por zhbllokimin e situatës në vend.
“Këtu është një gjest dhe një hap që duhet të përshëndetet i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli i cili e dëshmoi edhe njëherë që ambicia e tij nuk është për kolltukë por është për të mirën e vendit dhe për të realizuar fillimin e ri ai natyrisht e ofroi edhe pozitën e tij thjesht vetëm për të lëvizur gjërat përpara që vendi të zhbllokohet nga kjo situatë që është krijuar dhe një gjë tjetër që është ju e keni dëgjuar vazhdimisht edhe nga State Departament edhe nga Kongresi edhe nga shtetet e Bashkimit Evropian që ndikimi i Rusisë është rrit në rajon dhe në për të konfrontuar këtë ndikim rus është dashur që të bëhemi bashkë që ta luftojmë tendencën për të na blloku nga ana e Rusisë”, ka pohuar Çelaj.
Kujtojmë se Qeveria Mustafa ra pas mocionit të opozitës, të cilën e përkrahi edhe PDK-ja.