Nëse Swansea City synon të nxjerrë një rezultat spektakular ndaj Manchester Cityt, që do të ishte triumfi në FA Cup, atëherë ekipi uellsian do të ketë nevojë për një paraqitje fantastike të Bersant Celinës kundër ish-ekipit të tij. Kjo përballje do të zhvillohet të shtunën (sot) në “Liberty Stadium” prej orës 18:20 në kuadër të 1\8 së finales të FA Cup.
Megjithatë, për Celinën nuk do të jetë e lehtë, pasi futbollisti ka pasur një javë shumë të vështirë. Ai është bërë hit anembanë botës me tentimin e tij për ta gjuajtur penalltinë kundër West Bromwichit të mërkurën mbrëma, ku rrëshqiti përpara se të godiste topin, transmeton Koha Ditore.
Por një sukses eventual i Swanseas kundër Cityt do t’i fshijë kujtimet e asaj penalltie për një lojtar, rruga e të cilit në futbollin profesionist nisi kur familja e tij u largua nga vendlindja si rezultat i luftës në Kosovë, që zgjati prej shkurtit të vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999.