Cen Desku themelues i LDK-së në Malishevë ka folur rreth arrestimit të tij gjatë kohës së luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ai ka thënë në Debat Plus se është trajtuar shumë mirë dhe nuk është prekur me dorë nga askush.
Madje kur është pyetur nga gazetarët pse në dëshminë e tij ën UNMIK ka thënë ndryshe , Desku është shprehur se ato deklarata janë shkruar nga vet prokurorët e UNMIK-ut, shkruan Reporteri.net.
“Arrestimi ka qenë në Dragobil. Nuk po më kujtohet a kishin maska. Këta dy që si kam njoftë nuk e di a kanë pasur maskë a jo. Ata në Hagë nuk janë për mua. Ato që janë të shrume janë të shkrume prej prokurorit me akuzu një njerëz pa fakte. Në burgun e Sedllarit kemi qenë të trajtuar mirë. Askusn nuk na ka prekur me dorë, shpesh kanë ardhur ushtarët me caj në dorë kemi bashkëbiseduar, na e kanë pru gazetën. Nukën që e kanë hangër ushtarët e kemi hangër edhe na”, tha ai.
Sipas tij misioni i UNMIK-ut ka dashur të krijojë konflikte ndërmjet shqiptarëve.
“Unë po deklarohem si e kam përjetuar. Masi kemi dalë prej burgut të Sedllarit nuk kam pasur guxim t’i lavdërojë. Dëshmitë e UNMIK kanë qenë me na shti neve në konflikt. Ato janë përpilime të atyre, deklaratat kanë mujt mi shkru vet ata”, shtoi Desku.
Kujtojmë se misioni i EULEX-i kishte nisur një hetim për krime lufte kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili më pas është mbyllur nga një prokuror vendës.
Thaçi ishte i dyshuar për pengmarrje si krim lufte, të Cen Deskut dhe Jakup Kastratrit më 30 tetor 1998.
Ata ishin mbajtur të burgosur në mënyrë të paligjshme rreth një muaj në fshatin Sedllar të Lipjanit.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte lëshuar komunikatë për arrestimin e tyre. Konsideroheshin të dëmshëm për luftën e UÇK-së.
Dy aktivistët e LDK-së që ishin liruar me ndërmjetësimin e OSBE-së, e kishin akuzuar Thaçin se ka qenë pjesëmarrës në kidnapimin e tyre. Dëshmitë fillimisht ia kanë dhënë misionit verifikues dhe më vonë edhe UNMIK-ut.
Sipas tyre, Thaçi ishte prezantuar me emrin “Sabit Geci” dhe “Ibrahim Gashi”, në momentin e kidnapimit.