Në ditën e deklarimit të pasurisë çereku i tash ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk kishin asnjë cent në llogarinë e tyre bankare. Kështu të paktën kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit me rastin e deklarimit të pasurisë së tyre.
Në mesin e ish- deputetëve të cilët kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme është edhe kandidati për kryeministër nga Vetëvendosja, Albin Kurti. Njëjtë kanë deklaruar edhe Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Pal Lekaj, Agim Çeku, Gëzim Kelmendi e Nenad Rashiq.
Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, nga të gjitha grupet parlamentare të legjislaturës së kaluar, janë 33 deputetë të cilët kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme në llogaritë e tyre, ose të paktën ato nuk i kanë deklaruar në formularët e pasurisë.
Nga PDK janë shtatë ish-deputetë të cilët kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme: Agim Çeku, Shaip Muja, Ganimete Musliu, Flora Brovina, Fadil Beka, Luljeta Veselaj-Gutaj dhe Emilija Redzepi.
Nga LDK janë gjashtë ish-deputetë pa para të gatshme: Melihate Tërmkolli, Teuta Rugova, Njomza Emini, Blerim Grainca, Kimete Bytyqi dhe Etem Arifi.
Nga Vetëvendosje janë pesë ish-deputetë, duke nisur nga i nominuari për Kryeministër Albin Kurti, më pas Rexhep Selimi, Aida Dërguti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Mytaher Haskuka.
Nga AAK janë tre ish-deputetë të cilët kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme: Pal Lekaj, Bali Muharremaj dhe Teuta Haxhiu.
Po kaq ish-deputetë janë edhe nga Nisma, duke nisur nga kryetari Fatmir Limaj, si dhe dy deputetët tjerë: Zafir Berisha dhe Enver Hoti.
Në grupin e Listës Serbe janë pesë ish-deputetë që kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme. Ata janë: Nenad Rasiq, Adem Hodza, Sasa Milosavljeviq, Jasmina Zhikoviq dhe Milka Vuletiq.
Nga Grupi 6+ janë: Kujtim Paçaku, Danush Ademi dhe Çerim Bajrami.
Po ashtu edhe ish-deputeti Gëzim Kelmendi ka deklaruar se nuk ka para të gatshme. Kelmendi me partinë Fjala nuk ka arritur që të kalojë pragun elektoral dhe rrjedhimisht nuk do të jetë deputet në legjislaturën e re.