Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me kryetarin e Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Qerkezi.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se kanë biseduar javëve të fundit me kryetarin Qerkezi në mënyrë që në një listë të garojnë, raporton Ekonomia Online.
“Lëvizja për Drejtësi ka progresin e vet. Ne kemi synim të përbashkët që të zhvillojmë vendin tonë dhe të krijojmë perspektivë për të rinjtë. Jam i bindur se do të kemi përkrahjen e qytetarëve në këto zgjedhje”, ka thënë ai.
Kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Qerkezi tha se janë dy pika programore që i lidhin: e para besimi në zot dhe e dyta besimi në familje.
“Më emër të këtyre dyjave të kemi rrugëtim të përbashkët. Pas këtij rrugëtimi besojmë thellë dhe rezultati të jetë më bindës”, ka thënë ai.
Isa Mustafa ka thënë se në vazhdim do të nënshkruajnë koalicion me Alternativën, ndërsa se a do të ketë koalicion me AKR-në ka thënë se shohin rrugë të përbashkët, por mbetet çështje e vullnetit të këtyre dy subjekteve.
Ai ka thënë se deri në orën 24 janë duke i pritur edhe dy marrëveshje.