Certifikohen 21 trajnerë të volejbollit

Prishtinë | 25 Gus 2017 | 14:17 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

21 trajnerëve të volejbollit u janë ndarë sot certifikata, pas përfundimin me sukses të kursit teknik pesë ditor, shkruan Ekonomia Online.

Trajnerët patën rastin të mësojnë në teori dhe praktikë nga eksperti ndërkombëtar i Federatës Ndërkombëtare të Volejbollit, rumuni Dan Ilie Girleanu. Ai ligjëroi kryesisht për grupmosha të reja.

Në ndarjen e certifikatave, të pranishëm ishin drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani, sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj dhe kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Abedin Ibrahimi, të cilët bashkë me ligjëruesin ndanë certifikatat.

Eksperti rumun, Dan Ilie Girleanu tha se është shumë i kënaqur me nivelin e trajnerëve të volejbollit. Ai tha se trajnime të tilla janë të nevojshme që trajnerët të jenë në hap me ndryshimet që ndodhin në volejboll.

“Kemi pasur pesë ditë pune të vështira nga tetë orë në ditë. Jam i kënaqur me numrin e pjesëmarrësve, moshën e tyre dhe me ato që kanë mësuar. Po të ekzistonte ndonjë diplomë gjenerale do t’jua ndaja sot, pasi ata kanë njohuri të mjaftueshme për volejbollin. Volejbolli juaj është në duar të sigurta”, tha Girleanu.

Ndërsa, Besim Hasani, president i Komitetit Olimpik të Kosovës tha se shpreson që trajnimet e tilla, që vazhdimisht po organizojnë, të ndikojnë në ngritjen e nivelit të sportit, në këtë rast të volejbollit.

“Këto përvoja ata do t`i bartin tek sportistët e tyre kështu që unë pres që falë edhe kurseve për administrator të sportit të cilën e ka kryer federate e volejbollit por edhe kursin për trajnimin e trajnerëve do të ndikojnë që volejbolli të jetë në nivel më të lartë në të ardhmen”

E  kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Abedin Ibrahimi, falënderoi të gjithë ata që kanë organizuar këtë trajnim dhe tha se çdo trajnim i tillë është në të mirë të volejbollit, shkruan EO.

Të lumtur me atë çfarë mësuan u shprehën edhe trajnerët, të cilët shpresonin që trajnime të tilla të organizohen edhe në të ardhmen.

Njëra prej trajnerëve pjesëmarrës ishte edhe Olta Kalludra, e cila tha se kushtet për t`u marrë me sport në Kosovë nuk janë në nivelin e duhur dhe madje sipas saj, mungojnë kushtet elementare.

Ajo mirëpret organizime të tilla si dhe bën thirrje që trajnime të ngjashme të mbahen më shpesh.

Trajnimet për trajnerë mbështetën nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, derisa javën e kaluar u mbajt trajnimi i boksit. Deri në fund të vitit do të organizohen edhe nëntë trajnime të tjera.

Të ngjashme