Sporti i Kosovës po lë prapa një vit me plot telashe të natyrës politike

Prishtinë | 22 Dhj 2018 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Një valë reagimesh kanë ngjallur diskriminimet e natyrës politike, pre e të cilave ishin sportistët kosovarë gjatë vitit 2018. Reagimet janë shoqëruar edhe me masa konkrete, por edhe këtë vit, njëjtë si në vitet e kaluara, telashet e natyrës politike ishin të mëdha për sportistët e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Telashe e diskriminim pritet të ketë edhe në të ardhmen, me gjithë vendimet që kanë “prodhuar” rastet e 2018-s. Janë vendet që nuk e njohin shtetin e Kosovës ato që diskriminojnë sportistët kosovarë. Vende që sportistëve të Kosovës nuk u mundësojnë trajtim të barabartë ka edhe në Evropë. Këtë vit, pos Serbisë, është veçuar edhe Spanja.

Pikërisht me shtetin fqinj, Serbinë, kanë filluar telashet e këtij viti. Në fund të muajit mars në Serbi është dashur të mbahet turneu kualifikues për evropian, për hendbollistet deri 20 vjet. Për herë të parë një përfaqësuese e Kosovës u vendos në Serbi, përkatësisht në qendrën sportive Kovilovo në afërsi të Beogradit.

Hendbollistet e reja e zhvilluan edhe një stërvitje në Serbi, por ndeshjet nuk u lejuan të zhvillohen dot. Udhëtimi dhe vendosja e një përfaqësueseje të Kosovës në Serbi bëri bujë në këtë vend. Pati edhe protesta në Beograd dhe reagime të grupeve të tifozëve. Si rrjedhojë shteti serb fillimisht nuk lejoi zhvillimin e ndeshjes mes Serbisë e Kosovës e më pas as dy ndeshjet e tjera të Kosovës.

Për sigurinë e përfaqësueses së Kosovës gjatë qëndrimit në Serbi dhe udhëtimit u angazhuan forca të shumta policore. Por hendbollistet e reja të Kosovës u kthyen pa luajtur ndeshje. Më pas EHF-ja suspendoi dhe dënoi Federatën serbe, ndërsa ai turne nuk u zhvillua fare. U vendos që të kualifikohej Norvegjia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme