Certifikohen 22 pjesëtarë të FSK-së për sistemin elektronik

Prishtinë | 03 Nën 2016 | 16:42 | Nga

Në ambientet e Ministrisë për Forcën Sigurisë së Kosovës(MFSK), në organizim të Departamentit të Logjistikës u mbajt ceremonia e certifikimit të 20 pjesëtarëve të FSK-së dhe 2 pjesëtarë të stafit civil të MFSK-së, të cilët u aftësuan për përdorimin e sistemit ektronik për menaxhimin e pasurisë nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

Gjatë ceremonisë të pranishëm ishin sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Sylaj, gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë së Operacioneve, koloneli amerikan Damian Donahoe-NALT-i (Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s për FSK-në, drejtori i Agjencisë së Shoqërisë të Informacionit, z. Kujtim Gashi dhe drejtori i Departamentit të Logjistikës së MFSK, z. Zijadin Bajcinca.

Me këtë rast, sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, z. Shkëlzen Sylaj, në emër të Ministrisë dhe ministrit Demolli falënderoi ASHI-në për trajnimin e pjesëtarëve të stafit civil të MFSK-së dhe pjesëtarëve të FSK-së, duke theksuar se trajnimi për menaxhimin e pasurisë është mjaft domethënës dhe i rëndësishëm për FSK-në. Ai, po ashtu përgëzoi edhe pjesëtarët e FSK-së për zhvillimin me sukses të këtij trajnimi, i cili, siç tha ai, do t’i pajisë me njohuri të reja rreth përdorimit të sistemit elektronik për menaxhimin e pasurisë së FSK-së.

Në emër të ASHI-së, foli Kujtim Gashi i cili vlerësoi lartë angazhimin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së, për t’u pajisur me njohuri të reja në këtë drejtim. Ai tha se “ është ndjenjë e veçantë të përgatisë ekspertë të FSK-së, sepse pasuria më e madhe e vendit tonë është vet FSK-ja.

Ndërkaq, koloneli Donahoe përgëzoi pjesëtarët e FSK-së për kryerjen me sukses të këtij trajnimi shumë të rëndësishëm, ndërsa drejtori i Drejtorisë së Operacioneve, gjenerali Zymer Halimi, i uroi pjesëtarët e FSK-së për suksesin e treguar gjatë trajnimit, njëherësh kërkoi nga ta që njohuritë e fituara t’i zbatojnë me sukses në njësitë e tyre.

Për pjesëmarrësit e trajnimit u ndanë edhe certifikata nga sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, z. Shkëlzen Sylaj, gjeneral brigade Zymer Halimi, koloneli amerikan Donahoe dhe z. Kujtim Gashi.

Trajnimi për përdorimin e programit qeveritar e-pasuria në modulin e logjistikës u mbajt nga 22 deri më 24. 08. 2016, në të cilën morën pjesë 22 pjesëtarë nga të gjitha njësitet e FSK-së dhe nga përfaqësues të stafit civil të Ministrisë së FSK-së, që janë përdorues të programit qeveritare e-pasuria, të cilët në testin e arritshmerisë kanë treguar sukses të shkëlqyeshëm.
fsk1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme