Gjashtëdhjetë studentë nga Komuna e Pejës janë certifikuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fushën e ndërmarrësisë nga organizata “ETRI” dhe “KISED”, raporton Ekonomia Online.
Projekti është financuar nga MKRS-ja dhe ka për synim që t’i nxisë të rinjtë në biznes dhe t’i përgatisë për tregun e punës.
Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi tha se për ta e rëndësishme është që këto trajnime të përkthehen në hapje të bizneseve nga vetë këta të rinj.
“Për mua është e rëndësishme objektiva e MKRS që këto trajnime mbahen nëpër Universitetet sepse themeli i dijes është në këto universitete. Uroj që këto trajnime të përkthehen në punësime dhe në hapje te biznese të vogla që në të ardhmen mund të zgjerohet”.
“Ne e dimë që Kosova po kalon në një gjendje të rënde pandemie, por për mua si ministre ka qenë befasi që interesimi i të rinjve ka qenë shumë i madh”.
Ministrja Dumoshi tha se vitin e ardhshëm synojnë që ta rrisin buxhetin për rini.
“Ne jemi të gatshëm që të mendojmë që vitin e ardhshëm ta rrisim buxhetin në mënyrë që të risimin e mundësinë për hapje të bizneseve. Synimi ynë është që të rinjtë kosovarë ta shohin institucionin si një partner me të cilin mund të komunikojnë. Ne përpiqemi që mundësitë t’i qojmë përpara”.
“Ne si MKRS po punojmë në draft-ligje për të rinjtë. Nga Pakoja e Rimëkëmbjes janë ndarë për të rinjtë 5 milionë euro”, tha ajo.
Rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku, tha se aktivitete të tilla e ndihmojnë shoqërinë, por edhe vetë universitetin e këtij qyteti.
Driton Berisha, nga organizata ETRI, tha se këto ditë kanë dëgjuar shumë ide e projekte nga të rinjtë. Ai tha se ky projekt ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të ndërmarrjeve të të rinjve në gjithë Kosovën. “Janë trajnuar 60 të rinj të cilët kanë qenë të rregullt që synojnë ta rrisin një biznes”.
“Pas kësaj seance do të mbesim në kontakt për finalizimin e planit, në mënyrë që këta të rinjtë të jenë përfitues të këtyre granteve. Idetë që kemi dëgjuar kanë shumë potencial dhe besoj se nga përvoja ime kemi shumë storie të suksesit që kanë ardhur nga këto grante të vogla”, tha Berisha.
E njëra nga studentët përfituese, Elsa Osmanaj tha se përmes këtij trajnimi, ministrja Dumoshi ka dhënë shembull për ta.
“Përmes këtij trajnimi, ministrja Vlora Dumoshi e ka krijuar një sukses për neve rininë, që mos të shërbejë vetëm dera e familjes për trokitur, por të kemi edhe përkrahjen e shtetit”, tha Osmanaj.