Ministria e Financave për herë të parë ka përgatitur programin Kombëtar për trajnim dhe certifikim të auditorit të brendshëm në sektorin publik.
Pjesëmarrës në këtë trajnim janë auditorë të të gjitha niveleve e organizatave vendore, Zyra e Auditimit, Banka Qendrore e Kosovës, ndërmarrjet publike dhe kandidatët tjerë të cilët kanë kaluar testin kualifikues.
Pas kryerjes së këtij trajnimi do të jenë të gatshëm që me punën e tyre të japin siguri kryesuesve, organizatave buxhetore, menaxhimit të aseteve të shtetit në mënyrë dhe pajtueshmëri të plotë me ligjin.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, tha se përmes këtyre trajnimeve do të krijohen resurse të nevojshme për këtë fushë të rëndësishme, siç është auditimi.
“Jam i kënaqur që po arrij të adresoj një rekomandim të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave. Përmes këtyre trajnimeve do të krijohen resurse të nevojshme për këtë fushë të rëndësishme. Fokusi i Qeverisë është që ne të rrisim transparencën për llogaridhënien e shpenzimit të parasë publike”.
“Këto diploma do të jenë të njohura ndërkombëtarisht, jo vetëm për nevoja të sektorit publik, por ofrojnë një bazë të pjesës teorike dhe praktike”, tha ministri Hoti.
Ndërsa, nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës Ali Sadriu, tha se “Ky është një hap substancial dhe do të doja që të jetë edhe shumë premtues, sepse është shumë e vërtetë se kapacitetet e Kosovës në lëmin e audtimit janë ende larg nevojave.
Ne sot po fillojmë procesin e certifikimit të auditorëve për Institucione, por shpresoj në të ardhmen do të shkohet edhe më larg dhe të ketë një mekanizëm pak më të gjerë ku do të përfshihen edhe kompanitë publike.
“Puna e juaj e ndërgjegjshme dhe profesionale, Auditorin e jashtëm e lenë pa punë dhe ajo është më e mira në këtë proces. Ju jeni preventivë , ndërsa ai tjetri ka edhe mekanizma të tjerë. Dhe unë jam udhëtar i preventives që në start ti jepen vërejtjet dhe në start të kanalizohen proceset ashtu si siç duhet”, tha deputeti Ali Sadriu.
Drejtoresha e Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP) Refike Sulçevsi, tha se ky trajnim do të zgjasë pesë javë dhe se përgatitjet janë në nivel të lartë “dhe shpresojmë se ky trajnim të ketë rezultate të mira”.
Ndërsa, profesori i Fakultetit Ekonomik Besnik Krasniqi, tha se është një hap substancial, kur kapacitetet në Kosovë janë larg nevojave.
“Shpresoj se në të ardhmen të shkohet më lartë dhe të përfshihen edhe kompanitë publike. Puna juaj e ndërgjegjshme dhe profesionale e lë Auditorin pa punë dhe kjo është më e mira krejt në këtë proces”, tha Krasniqi.
Trajnimi mbahet nga trajnerë vendor të certifikuar nga CIFA e Britanisë së Madhe.