Çfarë duhet të hamë në verë?

Prishtinë | 30 Qer 2019 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Ardhja e stinës së verës shoqërohet për shumë njerëz me mungesë të oreksit, probleme të tretjes apo vështirësi në përzgjedhjen e ushqimeve për të konsumuar.

Ana Xhafa, një dietologe, shpjegoi se “ndërprerja e oreksit në verë lidhet ngushtë me temperaturat e larta, të cilat shkaktojnë gjendjen e lodhjes dhe ndërprerjen e oreksit sepse organizmi vendoset në një situatë tjetër, mundohet që me djersitje dhe frymëmarrje të rregullojë tempetartuten e trupit”.

“Trupi përpiqet të përshtatet me kushtet e reja të stinës dhe prodhohen disa hormone që japin këtë ndjesinë e mungesës së oreksit. Si rrjedhojë e largimit të ujit peshojmë më pak dhe brenda një dite të vetme mund të humbasim deri në disa kilogram, jo si rrjedhojë e dobësimit, por për shkak të humbjes së ujit të trupit në këtë kohë. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të konsumojmë frutat e stines, si pjepri, shalqiu, pjeshka, qershia apo kajsitë, që kanë një përmbajtje të madhe uji”.

Në intervistën e saj, dietologia shpjegoi edhe se nga cilët ushqimet duhet të distancohemi në këtë stinë. “Është e rëndësishme të shmangim pijet alkoolike, për një arsye madhore sepse ato e dehidratojnë organizmin. Pasi pi alkool ndien etje sepse alkooli është e vetmja substancë që përthithet 100% nga organizmi dhe duke qenë se përthithet kështu, edhe trupi dehidratohet më kollaj. Alkoolet e rënda janë më problematikët, si uiski, xhin apo vodka e raki. Ndërsa pije si vera apo ndonjë kokteil tolerohen lehtësisht nga organizmi”.

Në fjalën e saj, dietologia bëri edhe një përshkrim të shkurtër të asaj që do të ishte një dietë ideale për këtë stinë të nxehtë.

Mëngjesi
Lëng frutash, lëng portokalli është i preferueshëm për shkak të vitaminës c, por mund të jetë edhe qumësht, që mund të shoqërohet me drithëra. Në mëngjes mund të përzgjidhen edhe ushqime të tjera, si ndonjë proshutë krudo, që ka pak yndyrrë dhe është e lehtë dhe e tretshme për organizmin.

Dreka
Mund të jetë mish, ndonëse mishi i kuq nuk sugjerohet më shumë se një herë në javë në këtë stinë. Dreka më e mirë është ajo me peshk, fileto pule, tavë me perime dhe gjithmonë e shoqëruar me një sallatë të stinës sipas dëshirës. Duhet bërë kujdes me sasinë e yndyrrës, edhe pse vaji i ullirit është shumë i mirë dhe i rekomandueshëm në përgjithësi.

Darka
Në përgjithësi duhet të jetë diçka e lehtë që konsumohet 3-4 orë përpara se të flemë, përpara se organizmi të ketë kohë ta tresë ushqimin. Mund të jetë një krep, një sallatë me ton apo një kos me fruta, por nuk duhen përdorur koset e gatshme që kanë shumë sheqer. E rekomandueshme është që kosi me fruta të bëhet vetë

Të ngjashme