Çfarë ndodh në tru kur shkruani me dikë në celular

Prishtinë | 04 Kor 2023 | 22:07 | Nga Ekonomia Online

Dërgimi i mesazheve me celular të mençur mund të ndryshojë ritmin e valëve të trurit, thuhet sipas një studimi të publikuar në ‘Epilepsy & Behavior’.

Njerëzit janë duke komunikuar në vazhdimësi përmes mesazheve me tekst, edhe pse deri më tani pak është ditur rreth efekteve neurologjike të përdorimit të celularit.

Për të zbuluar se si funksionon truri gjatë një komunikimi tekstual duke përdorur celularin, një ekip i udhëhequr nga një klinikë e huaj e quajtur “Mayo Clinic”, analizoi 129 pacientë.

Valët e tyre të trurit u monitoruan përgjatë një periudhe kohore prej 16 muajsh, përmes EEGs të kombinuar me pamje me video.

Dr. Tatum, një profesor i neurologjisë nga Florida, gjeti një “ritëm unik të mesazheve” në 1 në 5 pacientë, të cilët ishin duke i përdorur celularët e tyre për të dërguar mesazhe me tekst përderisa truri i tyre ishte duke u monitoruar.

“Ne besojmë se ky ritëm i ri është një aftësi e trurit për të përpunuar informata joverbale gjatë përdorimit të pajisjeve elektronike dhe se kjo është shumë e lidhur me vëmendjen dhe emocionin”, tha Tatum.

Kjo gjetje mund të ketë ndikim të madh në kuptimin e asaj se si bashkëpunon truri me kompjuterin. Për më tepër, Tatum shtoi: “Tani ekziston një arsye biologjike pse njerëzit nuk duhet të shkruajnë mesazhe dhe të vozisin – mesazhet mund të ndryshojnë valët e trurit”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme