Numri i vogël i testimeve për COVID-19 është një ndër problemet më të mëdha që po e përcjellë pandeminë në Kosovë. Vendi ynë nuk qëndron mirë krahasuar me të tjerët.
Si përpjekje për rritjen e testimeve u konsiderua mundësia që kjo procedurë të realizohet edhe në laboratorë privatë, që hyri në fuqi pas udhëzimit administrativ të Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt.
Të hënën e 10 gushtit filloi licencimi i institucioneve private shëndetësore për të kryer teste serologjike dhe teste me metodën PCR.
Fillimisht u licencuan 29 institucione shëndetësore private, e më pas edhe të tjerë, ndërsa sot u licencuan edhe 18 laboratorë privatë. Shumica nga këta laboratorë kryejnë teste serologjike që përcaktojnë praninë e antigjeneve dhe antitrupthave për SARS CoV-2 në organizmin e njeriut, kurse me këtë test kuptohet nëse dikush tashmë është përballur me COVID-19. Ndërsa vetëm dy laboratorë privatë kryejnë teste me metodën molekulare PCR, e cila tregon nëse një person aktualisht është i infektuar me COVID-19.
Mirëpo, pas fillimit të testimeve në institucionet private doli në pah problemi i evidentimit të tyre.
Ende nuk ka shifër zyrtare për testimet që janë kryer në laboratorët privatë në Kosovë deri më tash.
Sqarime për këtë çështje nuk i janë dhënë Klan Kosovës as nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP).
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nisi që nga e marta të raportojë për rastet pozitive me COVID-19, të cilat rezultonin nga këta laboratorë privatë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Megjithatë, raportimet e këtyre ditëve janë bërë vetëm me një shifër totale të rasteve pozitive me COVID-19, por jo me të dhëna tjera.
Sociologu Artan Muhaxhiri, i cili gjatë kësaj periudhe është marrë me analizën statistikore të rasteve me koronavirus, në një prononcim për Klan Kosovën është shprehur jashtëzakonisht i brengosur për këtë qasje institucionale, e cila, sipas tij, “do ta deformojë pasqyrën e përgjithshme të statistikave për COVID-19 në Kosovë”.
“Nëse në raportet ditore të IKSHPK-së nuk janë përfshirë rregullisht edhe të dhënat për testet nga laboratorët privatë (testimet dhe infektimet), atëherë databaza e përgjithshme zyrtare do të cenohet, sepse nuk do ta prezantojë realitetin e plotë”.
“Prej ditës së parë të bërjes së testeve në laboratorët privatë, IKSHPK-ja është dashur që çdo ditë t’ua prezantonte qytetarëve nga tri tabela: statistikat nga IKSHPK, statistikat nga laboratorët privatë, si dhe një tabelë të përgjithshme të të dy niveleve. Kësisoj do të evidentoheshin trendët realë të ecurisë së COVID-19 në Kosovë, por gjithashtu do të rritej besueshmëria publike në këtë proces“.
“Nuk është normale që të shohim radhë të njerëzve që presin para laboratorëve privatë, ndërsa shifrat zyrtare të të testuarve dhe të infektuarave të mos e reflektojnë denjësisht këtë fenomen. Rezultati i çdo testi që bëhet në këta laboratorë – PCR apo serologjik – do të duhej të evidentohej publikisht me raportime të vazhdueshme dhe të detajuara, sepse kështu do të ndihmohej edhe puna e profesionistëve shëndetësorë, veçanërisht e IKSHPK-së”.
Muhaxhiri ka thënë se është e pakuptueshme si kanë filluar testimet në laboratorët privatë pa u qartësuar metodologjia, infrastruktura, procedurat e mbledhjes dhe paraqitjes së përditshme publike të të dhënave.
“Nëse shkencërisht të dyja testimet konsiderohen të barabarta, atëherë edhe përllogaritja e tyre do të duhej të ishte e njëjtë”.
“Raportimet ditore të rezultateve të testimeve të realizuara nga laboratorët privatë dhe prezantimi publik i sistematizimit të këtyre shënimeve do të duhej të ishin domosdoshmëri. Mungesa e tyre i bën dëm të madh luftës së Kosovës kundër COVID-19”.