Çfarë po ndodh te Barcelona? Valverde jep alarmin

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Barcelona përsëri është ndalur me një barazim, ku këtë radhë kishte përballë Valencian.

Prej disa ndeshjesh Barça nuk po e gjen rrugën e fitores, dhe për këtë trajneri, Ernesto Valverde duket tepër i shqetësuar.

Velverde thotë se Barcelona “është duke notuar gjithnjë kundër rrjedhës”, pasi barazoi të dielën në La Liga, kundër Valencias.

Skuadra katalanase tashmë ka katër ndeshje në kampionat pa fitore.

“Ekipi ka dalë në fushë me mentalitetin e duhur, ashtu si katër ditë më parë, kur bëmë një paraqitje ideale. Fatkeqësisht, pësuam gol qysh në minutën e dytë”.

“Kjo mund të ndodhë, edhe pse stërvitemi për të kundërtën, por janë rrethana në futboll, asgjë më shumë”.

“Është e vërtetë që këtë sezon kemi këtë dinamikë, gjithmonë duhet ta nisim nga disavantazhi. Duket se gjithmonë notojmë kundër rrjedhës, por e dimë se situata do të ndryshojë”.

“Kishim luajtur katër ditë më parë, ndërsa Valencia kishte pesë ditë në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen. Kur kundërshtari kthehet mbrapa dhe mbrohet mirë, gjithçka bëhet e vështirë”.

“Valencia ishte duke pritur për një gabim, për ta kapur në befasi mbrojtjen tonë. Mendova se mund ta zgjidhnim situatën me lojtarët që kishim në fushë. Ishte një lojë e vështirë, si gjithmonë këtu”.

“Goli na habiti pak, por Valencia kishte edhe dy-tri shanse të mira. Në përgjithësi, ne dominuam në lojë. Kundërshtari kapitalizoi një gabim tonin. Natyrisht, do të kishim dashur të fitonim”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme